(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Klerik katolik, veprimtar i lëvizjes kombëtare shiptare. Lindi në Shkodër, më 3 qershor të vitit 1875. Kreu Kolegjin e Fretërve Observantë, në Kuvendin e Gjuhadolit në Shkodër. Më 1890 u nis për në Kërshivë të Bosnjës, ku mbaroi studimet për filozofi e teologji. U shugurua më 10 gusht 1894. Në vitin 1895 u dërgua famullitar në Prevezë. Pas kthimit, në vitet 1900-1912 shërbeu në Dukagjin. Në vitin 1913 mobilizoi popullsinë e Dukagjinit në luftë kundër Malit të Zi. Bënte pjesë në delegacionin shqiptar pranë komisionit të caktimit të kufijve. Me ardhjen e Zogut në fuqi, u caktua zëvendëskomandant i forcave të Shkodrës. U arrestua më 21 shtator të vitit 1946 në famullinë e tij në Bajzë të Kastratit, «për veprimtari kundra Pushtetit Popullor». Më 4 janar 1948, Këshilli i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës e dënoi me «5 vjet privim lirie si dhe humbjen e të drejtave civile për 5 vjet kohë…, me konfiskim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme». U lirua tre vjet më vonë, më 29 nëntor 1949. Vdiq në Shkodër, më 27 shtator të vitit 1967. P. Donat Kurti, Provinca Françeskane Shqyptare (E ripertrime në vj. 1906), I, XXVII, XXXI, f. 37, 44; II, XI, f. 68; Dr. Pjetër Pepa, Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri, Tiranë, 2007, Vol. II, f. 6-7, 30, 39.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit