(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Kirurg. Lindi në Korçë më 26 janar të vitit 1913. Një vit pas lindjes së Gjergjit, Korça u përball me luftën ballkanike dhe pushtimin e qytetit nga forcat greke. E ëma, Sevastia, e mbajti në Shkollën Shqipe të Vajzave. Ndërsa mbronte me armë shkollën, rriste edhe Gjergjin. Emigron me familjen në Jamestown, në SHBA ku vijon studimet për mjekësi. Djali i vogël i patriotëve Kristo Dako dhe Sevasti Qiriazi, arrestohet më 15 mars 1947. Pas dy vjet torturash, vdiq në hetuesi. Ishte i martuar me italianen Maria Fiorelli. Komisioni i ngritur pranë DAB, për vërtetimin e kohës së vuajtjes së dënimit me heqje lirie, të faktit të vdekjes së personit në burg pa qenë i dënuar dhe të pushkatuarve pa gjyq, vendosi, më 27 maj 1994, njohjen e «vuajtjes së dënimit për motive politike», me burg, nga 15 mars 1947 deri më 18 shkurt 1949. Vdiq në hetuesinë e Tiranës, më 18 shkurt 1949, dhe trupi i tij nuk iu kthye së ëmës për ta varrosur. Kristo Dako: Shqipëria çelsi kryesor i Lindjes së Afërme, përkth. L. Ndoja, Arbëria, Tiranë 2003; AISKK, F 1. V 2013. D 5/1. Fl. 310-311.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit