DANGËLLIA Sami
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Lindi më 1920, në Menkulas, Korçë. Nga dita e parë e arrestimit, dhjetor 1944, deri në fund të jetës, 43 vjet më vonë, nuk jetoi asnjë ditë i lirë. Vuajti 38 vjet burg dhe 5 vjet internim. Më 1942-43 shërbeu në karabinieri; tetor 1943-1 shtator 1944 luftoi në radhët e Ballit Kombëtar. U arrestua në fund të vitit 1944. Më 8 tetor 1945, me vendim nr. 9, Gjykata ushtarake e Korçës e dënoi si «kriminel lufte dhe armik i popullit», me burgim të përjetshëm, punë të detyruar, konfiskim pasurie dhe humbjen e të drejtave qytetare. Më 19 nëntor 1945, me vendim nr. 250, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës Devoll i sekuestroi pasuritë e tundshme e të pa tundshme: “Një shtëpi me një kat dhe një me dy kate, dy dhomash me gjith vjeksat, 21 dynymë tokë dhe korie. Në shtator 1954 u lirua nga burgu dhe më 19 maj 1954 u internua në Shtyllas, Fier, deri më 1959. Më 22 tetor 1959 u nis, së bashku me Haxhi Mekollin, të arratisej nga Shqipëria. Më 2 nëntor 1959, u arrestua në postën kufitare të Nikolicës, Korçë. Në hetuesi pohoi se donte të shkonte te daja në SHBA, i ishte mërzitur regjimi komunist, i cili e kishte internuar në Lushnjë, ku bënte një jetë të keqe. Qëllimi i tij kishte qenë të arratisej në Greqi, pastaj në SHBA; me vete kishte marrë adresat e njerëzve të tij në SHBA dhe 4 kg biskota. Më 13 shkurt 1960, me vendim nr. 6, Gjykata ushtarake e Tiranës e dënoi «për tentim arratisje», me 25 vjet burg, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtave për 5 vjet. Përmbarimi konfirmoi që s’kishte asnjë lloj pasurie. Në burg, u ridënua në Revoltën e Spaçit. Më 24 maj 1973, me vendim nr. 1, Gjykata e Lartë e deklaroi fajtor për «pjesëmarrje në organizatë kundër pushtetit, sabotim dhe agjitacion e propagandë», dhe e dënoi me 25 vjet burg, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet. Vdiq në burg, më 23 prill 1987. AISKK, F 1. V 2013. D 5/1. Fl. 639-640; Gazeta Zyrtare, 2 dhjetor 1946, f. 2.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]