DEMA, Mark Gjon
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Përkthyes, (Shkodër, 1920–Durrës, 1998). Periudha e burgimit 11/5/1971- 9/27/1987. Një nga studentët e shkollës Saveriane të Jezuitëve në Shkodër. 1936 në Romë nis studimet teologjike, në Kolegjin Urbano “Propaganda Fide” dhe diplomohet për Filozofi. Njëkohësisht ndjek leksione në fakultetin e Letërsisë në Romë. Më 1943: mësues për disa muaj në liceun “G. Leopardi” të Romës. Vendos të kthehet në Shqipëri. Në vitin 1944 kthehet në Shkodër. Viti 1945 e gjen në Tiranë në Bibliotekën Kombëtare dhe pas gjashtë muajsh i jepet e drejta të ushtrojë mësuesinë si pedagog i letërsisë latine në Gjirokastër, ku ndodhej edhe Injac Zamputti. Kur e pyesin nxënësit rreth gjyqit zhvilluar ndaj At Anton Harapit, shprehet se është shkrimtar i zoti, e largojnë nga arsimi dhe e dërgojnë në Shkodër si punëtor krahu. Këtu nis me rekomandimin e Pashko Gjeçit, Llazar Siliqit dhe Eqerem Çabejt përkthimin në gjysmë-fshehtësi, për 13 vjet, të Eneidës. Përkthimin e veprës epike të Virgjilit e përfundon në dorë të parë në vitin 1963. Dorëshkrimi mbeti i pabotuar si politikë kulturore e çensurës së shtetit komunist ndaj kryeveprave botërore dhe dënimit të përkthyesit. E arrestojnë në Durrës më 5 nëntor 1971 dhe pas 7 muaj torturash e drogojnë ditën e gjyqit në korrik 1972. Pranon se “urren komunizmin” dhe të gjitha akuzat e tjera për “Tradhëti të lartë ndaj atdheut, spiunazh dhe Agjitacion e Propagandë”. Gjyqi zhvillohet njëkohësisht edhe kundër bashkëshortes Terezinë [shih]. Dënohet me 17 vjet burg. Gjatë periudhës së gjatë të burgimit, ka ushtruar mësimet e gjuhëve të huaja te të rinjtë bashkëvuajtës, por edhe ka kryer përkthime tekstesh për institucionet e shtetit në anonimat. Në periudhën e komunizmit, nuk arriti që të botojë ndonjë punë të tijën, ndonëse kishte paraqitur përkthime në anonimat nga autorët klasikë, në ndërmarrjen botuese “Naim Frashëri” në vitet ’60. Pas lirimit nga burgu më 1987, si njeri me karakter të fortë, vijoi pasionin për letërsinë. Pas rënies së diktaturës, Dema emigroi në Itali, ndërsa u mor me përkthime biblike në shqip. Ndërroi jetë thuajse i pavlerësuar, në Itali në vitin 1998. Teksti i përkthimit të Eneidës, i botuar nga Ministria e Kulturës dhe Sh.B. Enciklopedike, Tiranë, 1995, ishte i vetmi moment lehtësimi për latinistin e mërguar. Falë shënimit të prof. M. Demës të futur në një shishe varrosur bashkë me kufomën e priftit martir, Dom Mark Hasi, janë identifikuar eshtrat e këtij kleriku, në varrezën e burgut të Ballshit. Vepra: Virgjili, Eneida, përkth. Mark Dema, Enciklopedike, Tiranë 1995; Virgjili: Eneida, përkth. Mark Dema, sh.b Enciklopedike, Tiranë, 1995; Mark Ndoja: Kritika Klasike dhe leksione greko-romake, Arbëria, Tiranë 2003. APMN, V. 1963, fl.1-14. 2 Recensa të M. Ndojës per përkthimin në proces të Eneidës nga Mark Dema, dorëshkrim. Mikel Prenushi: BKSH, 1993, Vol. XIV: f. 184

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]