(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Enciklopedist, botues, (Boriç i Shkodrës, 1904 – spitali Shkodër 1971) një nga personalitetet më të larta të Urdhërit Françeskan, studjues i njohur për hartimin e Enciklopedisë, vepër në dorëshkrim në 7 vëllime (toga) prej 1156 f. (AQSH F. 618, D. 3/3). Vepra u hartua prej tij ndërsa shërbente në famullinë e Bajzës në vitet 1962-1966: Fjalori i shtjelluem të gjuhës shqipe. Benedikt Dema ishte i njohur si përgatitës i simpoziumit shkencor më 1941, në 1 vjetorin e vdekjes së poetit kombëtar At Gjergj Fishta dhe pati bashkëpunuar me kritikët më të mirë të kohës për ta përkujtuar në mënyrën më sublime humbjen e poetit: At Gjergj Fishta. Autor i daktiloshkrimit dhe dorëshkrimit të Enciklopedisë zbuluar në vitin 1976, në kohën kur u arrestua Gjergj Simoni të cilit bashkë me dorëshkrimet e veta iu konfiskuan edhe ato të At Benediktit, të cilat i kishte varrosur në oborrin e shtëpisë së tij Gjergj Simoni (Hardhija). Hetuesit gërmuan kopështin dhe oborrin duke zhvarrosur dokumentet arkivore të At Benediktit dhe kalke, tabernakuj të shenjtë, ornamente kishëtare të Kuvendit Françeskan të Shkodrës, të fshehura nga familja fetare e Simonit ku qenë bartur për t’u ruajtur në vitin 1967 me mbylljen e objekteve të kultit. Kanë humbur nga Fondi Benedikt Dema në AQSH, dy doracakët e futur në xhepat e brendëshme të dorëshkrimit: Kosmografia shenjime astronomie dhe Fitoterapia. Saga e dorëshkrimeve të zhvarrosura të At Benedikt Demës të këtij Rusoi shkodran, autor i Enciklopedisë shqiptare, është shembull i përndjekjes intelektuale dhe tjetërsimit të veprave gjatë regjimit komunist. Vepra Fjalori i shtjelluem të gjuhës shqipe, apo Enciklopedia e At Benediktit është në proces dixhitalizimi nga ISKK. At Gjergj Fishta 1871-1940, Neper kujdes t’At Benedikt Demës, Shkodër 1941; Leka Ndoja: Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit (1945-1990), ISKK, 2013; AQSH F. 618, D. 3/1, 3/2, 3/3
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit