Diabeti

A. Njohuri të përgjithshme
1. Diabeti i sheqerit (diabetes mellitus) është sëmundje që ka si tipar rritjen e nivelit të glukozës në gjak.
2. “Diabet” do të thotë “urinim i shpeshtë”. Në diabetin e sheqerit, nivelet e rritura të glukozës në gjak shkaktojnë rritje të sasisë të glukozës në filtratin parësor të prodhuar nga glomeruli; efekti osmotik që shoqërohet me sasinë e shtuar të glukozës shkakton rritje të sasisë të urinës dhe urinim të shpeshtë.
3. Diabeti insipid është sëmundje krejt tjetër. Në diabetin insipid, urinimi i shpeshtë shkaktohet nga mungesa e hormonit antidiuretik ose nga paaftësia e veshkave për t’iu përgjigjur hormonit antidiuretik.
4. Diabeti i sheqerit është 2 llojesh:
a. Diabeti tip I shkaktohet nga mungesa e insulinës, që vjen si pasojë e shkatërrimit të ishujve të Langerhansit nga sistemi imun. Këta pacientë janë zakonishtë fëmijë ose adoleshentë të dobët.
b. Diabeti tip II shkaktohet nga mungesa e insulinës, që vjen si pasojë e nevojave të shtuara për insulinë. Pacientët me diabet tip II janë zakonisht të rritur dhe mbipeshë.
5. Komplikimet:
a. Infeksionet: Candida, Mucor, S aureus.
b. Sëmundja vaskulare: (i) Prekja e enëve të mëdha: infarkt cerebral, sëmundje koronare. (ii) Enët e vogla: retinit, nefropati diabetike, ulcera të këmbëve.
c. Neuropatia: pakësim i ndjeshmërisë në gjymtyrë, parestezi, djegie e duarve, pamjaftueshmëri autonomike — parezë gastrike dhe impotencë.

B. Diabeti tip I
1. Prek zakonisht moshat e reja.
2. Njihet edhe si diabet që s’trajtohet dot pa insulinë (angl: insulin dependent diabetes mellitus).
3. Shkaktohet nga shkatërrimi i qelizave beta të ishujve të Langerhansit prej sistemit imun.
4. Shenjat dhe simptomat: pacienti ha shumë, pi shumë, urinon shpesh, humbet peshë, dhe mund të ketë kriza të ketoacidozës diabetike.
5. Diagnoza:
a. Glukoza mbi 200 mg/dl, ose…
b. Glukoza esëll mbi 125 në 2 raste të ndryshme, ose…
c. Testi i tolerimit të glukozës: glukoza mbi 200 mg/dl 2 orë pas marrjes të 75 g glukozë.
6. Trajtimi: insulinë (shih më poshtë).
7. Ketoacidoza diabetike:
a. Ketoacidoza shkaktohet nga mungesa e insulinës. Në mungesë të insulinës, mëlçia prodhon trupat ketonikë (beta-hidroksibutirat, acetoacetat, aceton).
b. Shenjat dhe simptomat: dhimbje barku, dehidrim, frymëmarrje e tipit Kussmaul (frymëmarrje të ngadalta e të thella), rritje e hendekut anionik (anion gap), prani e ketoneve në gjak dhe në urinë, hiperkalemi, hiperglicemi.
c. Trajtimi i ketoacidozës diabetike: lëngje intravenoze, kalium, dhe insulinë. Insulina jepet për të frenuar ketogjenezën, jo për të trajtuar hipergliceminë. Prandaj, nëse glukoza normalizohet, insulina vazhdohet e shoqëruar me glukozë.

C. Diabeti tip II
1. Prek zakonisht moshat e rritura, të sëmurët shpesh kanë histori familiare me këtë sëmundje.
2. Njihet edhe si diabet që nuk varet nga insulina (angl: non insulin dependent diabetes mellitus).
3. Shkaktohet nga:
a. Mosfunksionimi i mirë i qelizave beta, ose…
b. Nga rezistenca e indeve ndaj insulinës; ishujt e Langerhansit fillimisht përpiqen të kapërcejnë rezistencën periferike ndaj insulinës duke prodhuar më shumë insulinë. Me kalimin e kohës, ishujt e Langerhansit bëhen të paaftë për të prodhuar insulinë (plaken para kohe).
3. Shenjat dhe simptomat: dehidrim, polidipsi, polifagi, poliuri, humbje peshe, lodhje.
4. Diagnoza:
a. Glukoza mbi 200 mg/dl, ose…
b. Glukoza esëll mbi 125 në 2 raste të ndryshme, ose…
c. Testi i tolerimit të glukozës: glukoza mbi 200 mg/dl 2 orë pas marrjes të 75 g glukozë.
5. Trajtimi:
a. Dieta është shumë e rëndësishme. Pacientët me diabet duhet të kontrollojnë peshën, duhet të kufizojnë sheqernat e rafinuara, dhe duhet të rrisin sasinë e fibrës në dietë. Yndyrnat duhet të jenë vajra me 1 lidhje dyfishe (si p.sh. vaji i ullirit).
b. Hipoglicemikët oralë përdoren për trajtimin e diabetit tip II, por jo për diabetin tip I.
c. Insulina përdoret edhe me diabetin tip II nëse sëmundja nuk i përgjigjet trajtimit me hipoglicemikë oralë.
d. Inhibitorët e ACE-s e frenojnë përparimin e nefropatisë diabetike.
6. Mbikqyrja:
a. Trajtimi i diabetit është i suksesshëm nëse parandalohen ose vonohen e komplikimet.
b. Studimi i quajtur DCCT (Diabetes control and complications trial) tregoi se është e rëndësishme që niveli i hemoglobinës të glikoziluar të mbahet rreth 7-7.5%.
c. Hemoglobina e glikoziluar (HbA1c) është treguesi kryesor i kontrollit afatgjatë të glukozës. HbA1c tregon pak a shumë vlerën mesatare të glukozës në gjak gjatë 3 muajve të fundit.
d. Fruktozamina e serumit tregon vlerën mesatare të glukozës gjatë 2 javëve të fundit.
7. Ketoacidoza diabetike nuk është e shpeshtë në pacientët me diabet tip II.
8. Koma hiperosmolare hiperglicemike:
(a) Shkaktohet nga hipovolemia, stresi (infeksionet, trauma).
(b) Glukoza shpesh është mbi 1000 mg/dl, pa acidozë, me konfuzion ose komë, me pamjaftueshmëri akute të veshkave.
(c) Trajtimi = rehidrim, mortaliteti arrin 50%.

C. Barnat antidiabetike
1. Insulina
(a) Në treg gjenden shumë lloje insulinash, por parë nga ana fiziologjike ka vetëm 4 lloje insulinash:
(b) Insulina ultra e shpejtë (Insulina lispro, humalog): Nëse merret para buke, injektimi bëhet 20 minuta para ngrënies. Pas injektimit, niveli maksimal në gjak arrihet brenda 1 ore dhe efekti zgjat 3-4 orë.
(c) Insulina e shpejtë (Regular humulin): Nëse merret para buke, injektimi bëhet 60 minuta para ngrënies. Efekti zgjat 5-7 orë.
(d) Insulina e ndërmjetme (NPH, lente): Efekti fillon rreth 2 orë pas injektimit, arrin kulmin rreth 8-12 orë pas injektimit, dhe zgjat më pas se 24 orë. Zakonisht pacientët marrin 2 doza në ditë.
(e) Insulina afatgjatë (Ultralente humulin): Farmakokinetika është e ngjashme me insulinën NPH: efekti fillon pak më ngadalë dhe zgjat pak më shumë. Insulina ultralente shpesh përdoret për të krijuar një nivel bazal të insulinës në trup, dhe pastaj jepet insulinë ultra e shpejtë para ngrënies; kjo strategji përpiqet të imitojë fiziologjinë normale.
2. Dukuria ‘Dawn’ (agimi i diellit) dhe efekti ‘Somogyi’:
(a) Dukuria Dawn: rreth orës 5-8 të mëngjesit niveli i glukozës në gjak rritet. Mendohet se kjo është pasojë e sekretimit të hormonit të rritjes në këto orë. Dukuria ‘Dawn’ ndodh në njerëzit normalë, në ata me diabet tip II, dhe në 75% të atyre me diabet tip I.
(b) Efekti Somogyi: Dozat e larta të insulinës në darkë mund të shkaktojnë hipoglicemi gjatë natës; përgjigja hormonale kompensatore e trupit pastaj shkakton hiperglicemi rreth orës 7 të mëngjesit.
(c) Si dukuria Dawn dhe efekti Somogyi shkaktojnë hiperglicemi në mëngjes. Për të dalluar njërën nga tjetra, bëhet matja e glukozës gjatë natës. Nëse niveli i glukozës gjatë natës është i lartë, shtohet doza e insulinës në darkë. Nëse niveli i glukozës gjatë natës është i ulët, duhet ulur doza e insulinës në darkë.
3. Hipoglicemikët oralë:
(a) Metformina i përket klasës të biguanideve. Vepron me mekanizëm të panjohur. Mendohet se ul rezistencën periferike ndaj insulinës. Si efekte anësore përmenden pështjellimi dhe të vjellat, dhe acidoza laktike. Shpesh shkakton humbje në peshë, dhe prandaj preferohet për trajtimin e diabetit tip II.
(b) Klasa e sulfanilureve (p.sh., glyburide, glypizide): këto barna shkaktojnë rritje të sekretimit të insulinës nga pankreasi. E bëjnë këtë duke bllokuar kanalet ATP-sensitivë të kaliumit në qelizat beta.
(c) Tiazolidinedionet: troglitazoni është hequr nga përdorimi për shkak të efekteve anësore (hepatit fulminant). Rosiglitazoni dhe pioglitazoni janë barna më të reja nga kjo klasë. Mekanizmi i veprimit është i panjohur por mendohet se ulin rezistencën periferike ndaj insulinës.
(d) Glinidet: Nateglinidi dhe repaglinidi. Këto barna shkaktojnë sekretim të shpejtë të insulinës. Merren para buke dhe ndihmojnë në kontrollin e glukozës postprandiale (pas ngrënies).
(e) Akarboza: frenues i alfa-glukozidazës intestinale që ngadalëson ritmin e përthithjes të glukozës në gjak. Nuk është shumë i përdorur.

Mjekësi e përgjithshme

[cite]