DIBRA Zija Myrto
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Politikan (Shkodër 1916 – 1989). Lindur në Shkodër mori pjesë në forcat partizane të Shkodrës. I mbiquajtur Daja, ai ishte një nga luftëtarët e betejës së Tepes kundër italianëve, bashkë me Tuk Jakovën [shih] dhe Sadik Bekteshin. Dekoruar me urdhërin e flamurit nga Kryesija e Këshillit Antifashist N.Ç. Deputet i Asamblesë Kushtetonjëse në vitet 1945-1950. Ish sekretar i Partisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme në vitin 1948. Dënohet dy herë, dhe vuan 17 vjet burg. Arrestohet në vitin 1956 dhe pas lirimit nga burgu 1978 internohet në Kalanë e Borshit; internohet sërisht në fshatin Guri i Zi ku edhe gjen vdekjen. U varros si në gjysëm ilegalitet, varrim në të cilin morën pjesë 11 veta. Atë që përfaqësonte në Shkodër plejadën e komunistëve të vjetër, nuk mundën ta përcillnin me dhimbje në varr as shokët e miqtë e tij. Todi Lubonja: Ankthi pa fund i lirisë, Albin, Tiranë 1994, f. 209-210; Gazeta Zyrtare, 20 korrik 1945, f. 6

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]