DINE Skënder Fiqiri
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Djali i F. Dines (Dibër 1926 – Vlashuk, Gjirokastër 1953). Periudha e burgimit; vdekja në burg 10/20/1944- 9/30/1949; 9/3/1950- 8/15/1953. E arrestuan në Tiranë në moshë të re, e dënojnë me shumë vite burg që i kaloi në burgun e Gjirokastrës dhe në kampet e punës. Në kampin e Vlashukut, ndërsa hapnin tunelin, një pjesë e tokës, 2 m3 e zu nën vete. Kur e nxorën, i ishte thyer shtylla kurrizore dhe copëtuar vertebrat. Nuk i dhanë asnjë ndihmë mjekësore. Vdiq në një kasolle, në vetmi. Në librin e tij, Ditët e fundit të lirisë, dëshmitari okular Nika Stajka rrëfen për vdekjen kurajoze të Skënderit, që i mohuan ndihmën pasi qe djali i Fiqiri Dines. Më 17 dhjetor 1946, ne vendim nr. 657, Gjykata ushtarake e Tiranës e dënoi «për krime gjatë luftës», me 5 vjet burg, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave civile e politike baraz me kohën e dënimit. Më 24 janar 1951, me vendim nr. 10, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e dënoi «për tentativë arratisje», me 8 vjet burg, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Vdiq në kampin e punës më 1953. Nika Stajka: The Last Days of Freedom, New York, Vantage, 1980; BKSH, Santa Clara, Kaliforni, 1984, f. 79; AISKK, F 1. V 2013. D 5/1. Fl.545-546

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]