DIZDARI Tahir
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Filolog, orientalist i shquar. Lindi në Shkodër, në vitin 1900. Pas përfundimit të mësimeve në Mejtepin Asqerie, ndoqi Kolegjin Saverian, të cilin e kreu më 1918. Studimet e larta për shkenca politike i kreu në Universitetin e Stambollit, në Turqi (1922-1925). Gjatë viteve 1925-1939 shërbeu në administratën e lartë shtetërore dhe u aktivizua si publicist, kritik e polemist në organe të ndryshme të shtypit të kohës. Gjatë pushtimit fashist, për pikëpamjet e tij nacionaliste, u internua në Itali (1939-1942). U arrestua më 27 shkurt të vitit 1951 dhe u mbajt për 13 muaj në hetuesi, në lidhje me të ashtuquajturën «bombë në Ambasadën Sovjetike», por u lirua për mungesë provash. E, megjithatë, përndjekja vazhdoi. U nxorr nga shtëpia e tij private. Në këto kushte ai u shtrëngua të flinte në librarinë e tij, që e kish hapur më 1952. Më 1965 u «pranua» si bashkëpunëtor i Institutit të Gjuhësisë, sektori i Leksikologjisë dhe i Leksikografisë. Vdiq më 9 maj 1972. Më 1995, Presidenti i Republikës i dha urdhërin «Naim Frashëri i Klasit I-rë», me motivacionin: «Për kontributin e shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike». La në dorëshkrim: «Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe» (Tiranë, 2005), «Persizmat në gjuhën shqipe dhe studimi i tyre» (Tiranë, 2010). Nasuf Tahir Dizdari, Tahir Nasuf Dizdari, në Tahir Dizdari, «Persizmat në gjuhën shqipe dhe studimi i tyre», “Saadi Shirazi”, Tiranë, 2010, f. 18-22

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]