FRATARI Rauf Hajredin

FRATARI Rauf Hajredin
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Bir i një familjeje të madhe atdhetare dhe intelektuale të Mallakastrës. I ati, Hajredin Fratari, rilindës dhe veprimtar i shquar i Pavarësisë, dëshmor i kombit, u ekzekutua nga rebelët haxhiqamilistët në prill të vitit 1915. Raufi u lind në Mallakastër më 5.02. 1909. Kreu shkollën e mesme ushtarake të Modenës në Itali si edhe Akademinë Ushtarake në Romë. Oficer i ushtrisë mbretërore shqiptare me gradën major, deri në vitin 1939. Antifashist i orëve të para. Nacionalist, që aderoi në organizatën e Ballit Kombëtar, një nga drejtuesit e saj në Mallakastër e më gjerë. Komandant i çetës nacionaliste të Mallakastrës, themelues i batalionit “Hajredin Fratari”, luftëtar i çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Lider i bashkimit kombëtar dhe i luftës së përbashkët kundër okupatorëve. Përfaqësues i Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes ( 1-3 gusht 1943) dhe veprimtar për plotësimin e vendimeve të Mukjes për një Shqipëri të lirë, etnike, demokratike dhe perëndimore. Antikomunist i vendosur. U largua nga Shqipëria, nëntor 1944 dhe qendroi në Itali në kampet e emigrantëve politikë (1944-1949). U dënua me vdekje nga regjimi i E. Hoxhës. Mandej emigroi në SHBA, ku e vazhdoi veprimtarinë atdhetare dhe antikomuniste. U eleminua nga sigurimi i Shtetit Shqiptar nëpërmjet dy bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që të maskuar, e vranë në Nju Xhers më 2 janar 1973. Dekoruar me urdhrin Pishtar i Demokracisë. U. Butka, Mukja shans i bashkimit, Tiranë, 1998.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]