(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Klerik. Lindi më 1888, në Shkodër. Studioi për teologji dhe filozofi në Hungari. Filloi punë si meshtar në Grudë. Më 1910 jep mësim në Kolegjin e Fretënve, Shkodër. Më 1918-19, famullitar në Malësinë e madhe. Më 1922-24 është bashkëthemelues e drejtues i grupit atdhetar Ora e Maleve. Punon si mësues filozofie në gjimnazin “Illyricum”, më 1924 bëhet drejtor i tij. Më 1930-36 drejton revistën “Hylli i Dritës”. Gjatë kësaj periudhe, shkruan rreth 70 artikuj në revista të ndryshme. Botoi disa libra: “Edukata ose mirërritja e fëmijëve”, 1925; “Vlerat shpirtërore”, 1936; romanin “Andrra e Pretashit” e botoi me pjesë, gjatë periudhës 1933-42. Gjatë periudhës 1941- 44 ka qenë: definitor, kustod, ministër provincial. Më 1940, zgjidhet anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Më 1941, zgjidhet provincial i Urdhërit Françeskan. Më 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, ai deklaroi: “Më rren mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbassi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”. U arrestua më 5 qershor 1945. U pushkatua më 20 shkurt 1946. Pjetër Pepa, Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri, Vol. 2 (Tiranë: Sh.B 55, 2007), 443-60; AMB, F: Divizioni i Mbrojtjes Popullit, D. 18
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI III
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit