IVANAJ Mirash
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Veprimtar politik, shkrimtar. U lind në Podgoricë, më 12 maj të vitit 1891. Shkollën e mesme e kreu më 1912 në Bograd, studimet e larta për filozofiletërsi dhe drejtësi në Universitetin e Romës, ku mbrojti dhe dy doktoratat, një në jurisprudencë dhe tjetrën në letërsi. Pas kthimit në Shqipëri më 1923, ndihmoi të kushëririn, Nikollë Ivanajn, për botimin e gazetës së përjavshme «Republika». Më 1924 u vendos në Podgoricë. Pas kthimit, në dhjetor të po atij viti, filloi punë si drejtor i gjimnazit të Shkodrës. Nga viti 1932 e në vazhdim u zgjodh deputet i Kuvendit, kurse më 1933 Ministër i Arsimit, post të cilin e mbajti për dy vjet e gjysmë. Më 6 shkurt 1934, i ndërpreu bursën Enver Hoxhës në Francë, kur ky nuk arriti të jepte asnjë provim. Dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Arsimit më 30 gusht 1935. Më 7 prill 1939 u arratis në Greqi e, prej këtej, në Stamboll. Në kërkim të një pune, udhëtoi në Liban, Egjipt dhe Izrael. Në shtator 1945, pasi kishte marrë garanci nga qeveria e re, u kthye në Shqipëri dhe, në nëntor të po këtij viti, filloi punë si mësues. U arrestua më 15 maj 1947, por urdhëri zyrtar i arrestit doli dy ditë më vonë. Për rreth një vit iu nënshtrua torturave çnjerëzore. U akuzua se «ka qenë ministër i regjimit të Zogut, ka qenë kryetar i shtetit, është arratisur më 7 prill 1939 duke tradhtuar e duke lënë popullin në mes të rrugëve, ka krijuar komitete kundër pushtetit popullor, është mbajtur në emigracion me fondet e Zogut, pas çlirimit, i udhëzuar nga anglo-amerikanët, u kthye në Shqipëri për të kundërvepruar ndaj pushtetit popullor, ka lidhje me Gjergj Kokoshin si dhe me grupin e deputetëve tradhtarë.» Megjithëse nuk i pranoi akuzat, u dënua me 7 vjet heqje lirie. Në burg u shtrëngua të punonte si përkthyes, duke përkthyer kryesisht literaturë nga fushat e matematikës, filozofisë, historisë, artit ushtarak etj. Në një takim me Mehmet Shehun dhe Bedri Spahiun në burg deklaroi: «Jam një mendimtar dhe një demokrat që, edhe sikur të kthehesha prapë në jetë, do të ndiqja të njëjtën rrugë.» Vdiq në infermierinë e burgut të Tiranës më 22 shtator 1953, pra 12 ditë përpara se të lirohej. Trupin e tij e përdorën në Fakultetin e Mjekësisë për eksperimente dhe demonstrim të anatomisë njerëzore, sigurisht pa autorizim të lënë prej tij ose familjarëve. Mirash Ivanaj është autor i një përmbledhjeje poetike dhe i një drame, të dyja të pabotuara. Robert Elsie, Historical Dictionary of Albania, Second Edition, p. 209; Uran Butka, Ringjallje, Tiranë, «Phoenix», 1995, 216-226.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]