(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Këngëtar lirik, bas. U lind më 19 korrik të vitit 1926, në Bajzë të Kastratit (Malësia e Madhe). Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjimnazin e Jezuitëve në Shkodër, ku kish mësues Atë Martin Gjokën e, më vonë, Atë Filip Mazrrekun. Me t’u hapur Liceu Artistik, niset për Tiranë. Më 1947 pranohet në orkestrën e Radio Tiranës, por pas dy muajsh pushohet nga puna si «ish nxënës i françeskanëve», dhe dërgohet hamall në një magazinë në Yzberisht. E ndihmon kompozitori Kristo Kona, aso kohe deputet, duke e angazhuar me korin e Filharmonisë. Në vitet 1947-1950, punon në Korin e Përgjithshëm të Shtetit dhe në Ansamblin e Ushtrisë si solist dhe si korist. Në vitin 1953, në festivalin е Dytë të Rinisë që u mbajt në Bukuresht, me interpretimin e aries së Filipit nga opera «Don Karlos» e Verdit, Kaçaj fitoi çmimin e dytë ndërkombëtar të Festivalit. Në vitet 1950-‘55 kryen studimet e larta për kanto pranë Konservatorit «P. I. Çajkovski» në Moskë dhe që atë vit emërohet solist në TOB, ku realizoi role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore. Më vitin 1955, në konkurimin e Balshoj Teatrit të Moskës, ndërmjet 170 këngëtarëve konkurues, fitoi vendin e katërt, duke lënë pas vetes këngëtarë me përvojë të gjatë skenike e me emër. Më 28 nëntor 1958, interpreton në «Balshoj Teatër» Don Bazilion nga «Berberi I Seviljes» i Rosinit. Pаs tre vjetësh, рёг merita tё veçanta në fushën e intepretimit dhe të propagandimit të artit shqiptar, Luk Каçаj, 36-vjeçar, u nderua me titullin «Аrtist i Merituar». Në vitin 1966 u emërua pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve. Më 28 maj 1973, Sigurimi i Shtetit e arrestoi në prani të studentave dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura. Më 21 gusht 1973, me vendim nr. 364, Gjykata e Tiranës e deklaroi fajtor për «agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor» dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie. Por thuajse dy javë më vonë, me një shkresë sekrete, Ministria e Brendshme iu drejtua Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Shkresa, e firmosur nga Feçor Shehu, atëherë zëvendësministër i Brendshëm, vërente se «…masa e dënimit me pesë vjet burg që iu dha të pandehurit është e butë dhe nuk i përgjigjet rrezikshmërisë së theksuar shoqërore që paraqet vepra e kryer dhe vetë i gjykuari». Megjithatë, Gjykata e Lartë, si në pak raste të tilla, e la në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës. Por me vendimin e 11 tetorit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, firmosur nga Aranit Çela, dënimit i shtohet edhe konfiskimi i pasurisë së tij. U lirua në vitin 1978 dhe për disa vite punoi si hamall te Pazari i Ri në Tiranë. Vdiq më 7 shtator 2001 në Laç. Pas vdekjes, në vitin 2009, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi urdhërin «Nderi i Kombit». Rolet: Don Bazilio tek opera «Berberi i Seviljes» i Rossinit; Gjini tek opera “Mrika” e Prenkë Jakovës; Bozone-n tek opera «Madame Butterfly» e Puccinit; Alekon tek opera «Aleko» e Rahmaninofit; Sparafucile-n tek opera «Rigoletto» e Verdit etj. Filmografia: «Skënderbeu», 1953 (në rolin e këngëtarit të verbër); «Përse bie kjo daulle?», 1969 (në rolin e babait). F. 1, V. 2014, D. 23, f. 94-95. Kampi i internimit, Grabian.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit