KAÇINARI Prof. Prengë Vlash

KAÇINARI Prof. Prengë Vlash
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

U lind në vitin 1910, në Mitrovicë. Pas shkollimit fillor në Kosovë, kreu Liceun e Korçës. Me të përfunduar Liceun, në vitin 1931 filloi studimet e larta për filozofi në Lion të Francës. Pas kryerjes së studimeve, u emërua në Liceun e Shkodrës. Gjatë pushtimit italian u rrjeshtua në anën e intelektualëve antifashistë që e kundërshtuan pushtimin: ishte një nga organizatorët e demostratave të 28 nëntorit 1939 dhe të janarit 1940, bashkë me disa profesorë të tjerë, si Safet Butka [shih], Tahir Shkreli etj. Në fillim të vitit 1943 u takua me Mithat Frashërin dhe u zgjodh në strukturat drejtuese të Ballit Kombëtar për qytetin e Shkodrës. Pas vitit 1944, nuk u angazhua më në politikë. Me të mbaruar lufta, e vazhdoi për pak kohë punën në Liceun e Shkodrës dhe e përfundoi aty vitin shkollor 1945-1946. Vitin tjetër u transferua në Liceun e Korçës dhe, pas pak muajsh, në Liceun e Durrësit. Pa kaluar shumë kohë, u arrestua. Në shkresën nr. 58, datë 13. 9. 1947, drejtuar Drejtorisë së Liceut të Durrësit, Ministria e Arsimit njofton se zoti Prengë Kaçinari, profesor në atë Lice pushohet nga puna, sepse është arrestuar. Më 24 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit, me vendim nr. 704, bashkë me Arshi Pipën [shih], Hysen Ballhysën [shih] e Pashko Gjeçin [shih], i deklaroi fajtorë se «kanë qenë antarë të organizatës së gjerë agjento-sabotatore, dhe antarë të grupit social-demokrat, për të rrëzuar me dhunë Pushtetin Popullor duke pritur një zbarkim nga jashtë», dhe e dënoi me privim lirie për jetë, konfiskim të pasurisë së tij të luajtshme dhe të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave civile dhe politike për tre vjet kohë. Gjykata e Lartë, me vendim nr. 96, datë 29 shkurt 1948, ia zbriti dënimin në 20 vjet privim lirie. Meqë ishte mjaft i sëmurë, u la i lirë më 28 prill 1949, dhe u emërua në Kavajë. Vrau veten 3 nëntor të vitit 1956, në Tiranë. Pas rënies së regjimit komunist, iu dhanë titujt e nderit «Mësues i Popullit» dhe «Martir i demokracisë». Msc. Nikollë Loka, Prengë Kaçinari, dritë mbi jetën e edukatorit të kombit, «Dielli», 27. 10. 2013; F. 1, V. 2014, D. 14, f. 74-75.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]