KASIMATI Sabiha
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Ihtiologe. U lind në vitin 1912, në Edërne të Turqisë. Kur familja u kthye në Shqipëri, ajo u vendos te i vëllai në Korçë. Studioi në liceun francez të Korçës; më 1930 ishte e para vajzë që u diplomua aty. Pas liceut punoi mësuese në shkollën normale femërore të Korçës. Më 1936 shkoi për studime në Torino (Itali), në fakultetin e shkencave biologjike. Mbaroi shkëlqyeshëm, dhe më 1941 mbrojti doktoraturën. Katedra e fakultetit i ofroi vendin e asistentes në ihtologjinë fluviale [shkenca që studion peshqit], por ajo u kthye në Shqipëri. U emërua pedagoge në institutin femëror Nëna Mbretëreshë (Tiranë). Gjatë luftës u sëmur dhe shkoi për kurim në Itali. U kthye në Shqipëri më 1945. Nisi punë në Institutin e Shkencave. Më 1948 përfundoi një studim mbi peshqit në ujërat shqiptare. Kjo vepër u botua më 1955, por me autorësinë e rusit Anatoli Poljakov dhe dy shqiptarëve fillestarë në fushën e ihtologjisë, Ndoc Filipi dhe Ndoc Rakaj. E kritikoi ballas diktatorin Enver Hoxha, me të cilin kishte njohje nga liceu: “Ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?” Dy ditë më vonë, Nako Spiru, zyrtar i lartë komunist dhe i njohur i saj, e këshilloi të mbyllte gojën: “Jo me karficë, por me babushkë.” U arrestua më 20 shkurt 1951. Më 26 shkurt 1951, ishte e vetmja grua, mes 22 intelektualëve që u pushkatuan pa gjyq, me rastin e incidentit të sajuar të bombës në ambasadën sovjetike. Uran Butka, Bombë në ambasadën sovjetike, (Tiranë: ASD, 2008), 114-20; F. 1, V. 2014, D. 14, f. 192-193.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]