KASO Tanush
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

U lind në Tiranë, në vitin 1934. Pas mbarimit të shkollës pedagogjike në qytetin e Tiranës, shërbeu për disa vjet si arsimtar në fshatrat e kryeqytetit e të Peshkopisë. Më 1961, teksa vazhdonte të punonte si arsimtar në fshatrat e Tiranës dhe ndiqte me korrenspodencë Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë (në vitin e tretë), u arrestua me akuzën e pjesëmarrjes në një grup armiqësor kundër pushtetit, që kishte si qëllim krijimin e një partie socialdemokrate. Më 11 gusht 1962, me vendim nr. 113, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor për «tradhëti ndaj atdheut» dhe «agjitacion e propagandë» dhe e dënoi me 13 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë të tundshme e të patundshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë. Pas kryerjes së dënimit, u shtrëngua të punonte punë nga më të rëndat. Pas viteve ‘90, filloi të shkruante sërish dhe që nga ajo kohë ka botuar shumë artikuj publicistikë në shtypin e përditshëm, si dhe disa libra: «Lufta ime» (1994), «Si me të qeshur» (1996), «Kalvari i burgjeve komuniste» (1998), «Hamit Matjani» (2007) etj. Krahas publicistikës, Tanush Kasoja është angazhuar edhe në veprimtaritë shoqërore-politike të ish-të dënuarve politikë, duke drejtuar si kryetar njërën prej tre shoqatave të tyre. AISKK, F. 1, Viti 2015, D. 23, Fl. 199-200.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]