Kerija
(hebraisht)
Riti i shqyerjes së rrobave në shenjë pikëllimi. Kerija bëhet duke qëndruar në këmbë, për arsye se pikëllimin duhet pranuar vertikalisht. Në qëndrimin vertikal në raste të tragjedisë individuale udhëzon edhe Bibla-kur Jovi ka dëgjuar për vdekjen e anëtarëve të familjes së tij është ngritur në këmbë dhe ka grisur rrobat e tij. Kerija zakonisht bëhet në kapelë apo te varrezat, te xhenazja, para varrimit. Në rast të vdekjes së babait apo nënës, rrobat grisen prej anës së majtë kah zemra, kurse në rast të vdekjes së anëtarëve tjerë të familjes grisja bëhet nga ana e djathtë. Në rast të vdekjes së babait dhe nënës, grisja bëhet me dorë, ndërsa në rast të vdekjes së anëtarëve tjerë të familjes, grisja bëhet me thikë, nga lart poshtë në një gjatësi prej një pëllëmbe. Grisja e rrobave me dorë bëhet me vështirësi, prandaj rabinët konsiderojnë se kjo grisje i mban dhembjen, pikëllimin dhe hidhërimin që i pikëlluari ndjen, duke i ndihmuar atij që ta shprehë atë. Edhe fëmijët nën moshën trembëdhjetëvjeçare e bëjnë kerijen. Nëse lajmi mbi vdekjen e babait apo motrës arrin pas tridhjetë ditëve, kerija nuk duhet të kryhet, përveç në rast të vdekjes së babait dhe nënës, për të cilët kerija bëhet pa e marrë parasysh se kur arrin lajmi i vdekjes.