Kidush
(hebraisht)
Tekstualisht: shugurim, formulë e shkurtër liturgjike e përbërë prej lutjes për verën, lutje për hyrje të shabatit apo festës (shih: Jom-Tov), me të cilën fillon mbrëmja e festës së darkës të së shtunës. Është urdhër biblik që shabati të shugurohet me fjalë, sepse në të thuhet: “Përmende ditën e shtunë që ta shugurosh”. Shabati duhet të përmendet para hyrjes dhe para darkës. Para hyrjes me kidush, kurse para daljes me (h)avdal. Është rregull që kidushi të thuhet në vigjilje të së premtes në të shtunën, por nëse dikush nuk e ka thënë për shkak të harresës apo me qëllim, atëherë atë duhet ta thotë në çfarëdo kohe gjatë shabatit. Pas hyrjes së shabatit (pas perëndimit të diellit të së premtes) është e ndaluar ngrënia apo pirja e verës para se të thuhet kidushi. Po ashtu, pas daljes së shabatit (pas daljes së tre yjve të shtunën në mbrëmje), janë të ndaluara të ngrënët, pirja e verës, fillimi i punës, apo të shijohet diçka para se të thuhet (h)avdala. Megjithatë, lejohet pirja e ujit. Nëse dikush ka harruar, apo me qëllim ka thyer rregullin, ka ngrënë, apo ka pirë para kidushit ose para (h)avdalaes, atëherë duhet ta thotë kidushin pasi të hajë. Është urdhër i rabinëve që kidushi dhe (h)avdala të thuhen mbi verë. Në fillim bekohet vera, pastaj thuhet kidushi, kurse duart nuk lahen përpara, por pas kidushit, para ngrënies së bukës. Kidushi thuhet vetëm në vendin e ngrënies së bukës. Do të thotë, nuk mund të thuhet kidushi në një shtëpi, e ngrënia të bëhet në një shtëpi tjetër. Për dallim nga kidushi, (h)avdala nuk mund të bëhet mbi bukë, por vetëm mbi verë.