KIMZA Dom Nikollë
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik katolik, historian, publicist. U lind në Gjakovë, më 20 gusht të vitit 1878. Në moshën 14 vjeçare filloi mësimet në kolegjin Papnor të Shkodrës (1892). Meshën e parë e tha më 21 gusht 1905, në Kallmet të Lezhës. Për 27 vjet shërbeu si meshtar në kishat e Bulgrit dhe të Velës. Pastaj, për rreth 15 vjet si famullitar në Kalivare, në Abaci të Mirditës. U arrestua në vitin 1947, bashkë me 12 meshtarë të tjerë. Pas lirimit, u kthye në famullinë e tij në Kalivare. Plak dhe i sëmurë, u shtrëngua të arratiset, fillimisht në Jugosllavi e, prej këtej, në në Romë, ku dhe vdiq në vitin 1960. Disa nga shkrimet e Dom Nikollë Kimzës, të botuara kryesisht te «Hylli i Dritës» me pseudonimin «Munella»: «Ç’na thotë gojëdhëna mbi vjetërsinë e Mirditës» (1933), «Hetime mbi vjetërsinë e rrjedhën e derës Gjomarkaj të Mirditës» (1937), «Tirana» (1937), «Cika e pyetje historike» (1939), «Nji kumbonë e vjetër në ma t’vjetrën famulli» (1939) etj.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]