(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Klerik ortodoks, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (1937- 1948). U lind në lagjen Kala të Beratit, në vitin 1890. Pas përfundimit të studimeve teologjike në Shkollën Patriarkale të Halkit (Hejbeli) në Konstantinopojë (1908), u kthye në Shqipëri dhe filloi punë në gjimnazin e Jovan Bangës në Korçë. Pak para fillimit të Luftës I Ballkanike, u kthye në Konstantinopojë dhe në vitin 1916 u dorëzua peshkop i Markiqojt, post të cilin e mbajti deri në vitin 1923. Po këtë vit, duke parë përpjekjet e ortodoksëve shqiptarë për autoqefali, u kthye vullnetarisht në Shqipëri, ku mori drejtimin e Mitropolisë së Beratit. Më 21 nëntor 1923, së bashku me timzot Jeroteun dorëzuan në gradën peshkopale imzot Nolin, në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Në vitin 1929 u tërhoq në manastir. Pesë vjet më vonë (1934) u zgjodh Mitropolit i Korçës, kurse më 12 prill 1937 Kryetar i Sinodit të Shenjtë dhe Kryepeshkop i gjithë Shqipërisë. Në vitin 1942 u thirr prej mëkëmbësit të Viktor Emanuelit III, Jakomonit, i cili i kërkoi që në vendet vakante të dorëzonte peshkopë unitë. Për të shmangur emërimin e peshkopëve unitë, ai thirri teologun Irine Banushi [shih] dhe i kërkoi që të dorëzohej në gradën peshkopale. I shtrënguar nga presionet e brendshme, më 25 gusht të vitit 1948 u detyrua të jepte dorëheqjen. Po atë muaj u internua. Vdiq në rrethana të dyshimta, më 17 qershor 1958 në kishën e Shën Prokopit. Dhimitër Beduli, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë deri në vitin 1944, në Kishë dhe kulturë, f. 58; Andrea Llukani, Historia e Krishtërimit në Shqipëri, f. 82-83.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit