KOÇI Haxhi Hafiz Sabri

KOÇI Haxhi Hafiz Sabri
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik i lartë mysliman, kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas rënies së komunizmit (1991-2004). U lind më 14 maj të vitit 1921, në fshatin Orenjë të Librazhdit. Mësimet e para fetare i mori në Shkodër, pranë Hafiz Muhamed Bekteshit, Hafiz Sabri Beg Buhatit dhe Sheh Qazim Hoxhës. Pas vitit 1939 u emërua imam në xhaminë e Luguçesmes në Shkodër, pastaj në Xhaminë e Bardhë e, më vonë, në lagjen Dudas. Më 1952 u emërua imam në xhaminë e Rusit të Vogël e, pak më vonë, në Xhaminë Plakë. Katër vjet më vonë, më 23 maj 1956, u emërua Myfti i Kavajës. Pa kaluar shumë kohë, me kërkimin e besimtarëve të lagjes Rus i Vogël, u emërua sërish imam në Shkodër. U arrestua më 4 qershor 1966, dhe më 10 shtator të po atij viti, me vendim nr. 34, Gjykata e Qarkut të Shkodrës e deklaroi fajtor për «tradhëti ndaj atdheut mbetur në fazën e përgatitjes» e «agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor», dhe e dënoi me 22 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet kohë. U lirua më 22 tetor 1986. Më 16 nëntor 1990 ishte ndër nismëtarët për hapjen e Xhamisë së Plumbit, ku u vendos për krijimin e Bashkësisë Islame Shqiptare, me qendër në Shkodër, që u miratua më 23 janar 1991. Më 14 shkurt të po këtij viti u zgjodh Kryetar i Këshillit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Vdiq më 18 qershor 2004. 100 personalitete shqiptare të kulturës islame, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tiranë, 2012, f. 200-207; F. 1, V. 2014, D. 19, f. 160-161.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]