(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Klerik i lartë mysliman, shkrimtar, përkthyes. U lind në Korçë, më 5 prill 1873. Shkollimin fillor e kreu në qytetin e lindjes. Po aty mbaroi dhe shkollën e mesme, kurse studimet teologjike i kreu në Universitetin e Stambollit. Më 1914 u emërua këshilltar i Ministrisë së Arsimit në qeverinë e Princ Vidit, kurse dy vjet më vonë drejtor i arsimit për Durrësin, Elbasanin, Dibrën, Matin dhe Pogradecin. Më 1916 u emërua Kryemyfti në Këshillin e Naltë të Sheriatit në Shkodër. Më 1918 mbërriti në Tiranë, për të vazhduar punë në Këshillin e sipërpërmendur. Është një nga themeluesit e Medresesë së Tiranës dhe një prej mësimdhënësve të parë të saj. U dënua nga regjimi komunist si klerik reaksionar dhe pjesëtar i Ballit Kombëtar. Vitet e fundit të jetës u internua në Kavajë, ku dhe vdiq më 31 dhjetor 1957. Vepra: «Vuajtjet dhe dënimet e mia me vdekje» (1889, 1938), «Treqind e tri fjalët e Imam Aliut» (1900), «Historija e shenjtë dhe katër halifetë» (1900), «Mevludi shqip» (1900), «Jusufi me Zelihanë» (1900), «Besimet Islame dhe filozofit e feve të ndryshme dhe partitë në fenë islame» (1900), «Abetare» (1910), «Alfabeti arabisht» (1914), «Ferrëfenjësi, morali dhe besimet» (1914), «Myslimanija» (1916), «Gramatika, Syntaksa shqip-arabisht» (1916), «Tefsiri i Kur’anit» (1920, 1924), «Shtatë ëndrat e Shqipërisë» (1924), «Bolshevizma çkatërrim i njerëzimit» (1925), «Kur’ani i Madhnueshëm e thelbi i tij» (1926) etj. Përkthime: Sa’adiu, «Gjylistani» (Trëndafilishtja, 1925) dhe Umer Khajjamit, «Rubaijjati (Katroret)» (përkthim me koment, 1930). 100 personalitete shqiptare të kulturës islame, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tiranë, 2012.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit