(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Ushtarak. Lindi në vitin 1916, në Shkodër. U diplomua në Akademinë Ushtarake të Modenas (Itali). Punoi në xhandarmëri, me gradën nëntoger. Gjatë pushtimit italian e degdisën në Shën Pal të Mirditës. Vëllai i tij, Lec Kurti, ishte një nga krerët e Ballit Kombëtar. Pas lufte mori pjesë në organizatën Bashkimi Kombëtar, që u krijua në Shkodër, e cila u godit nga regjimi komunist. U arrestua më 10 janar 1946, dhe më 22 shkurt të po atij viti, me vendim nr. 21, Gjykata Ushtarake e Shkodrës e deklaroi fajtor për «krijimin dhe organizimin e organizatës “Bashkimi Shqiptar”» dhe e dënoi me 30 vjet burg, konfiskimin e pasurisë të tundshme e të patundshme dhe humbjen e të drejtës qytetare politike baraz me kohën e ndëshkimit. E dërguan në Burrel, ku kaloi 14 vjet. Pa rënies së komunizmit, gjatë një vizite në Romë, takoi rastësisht një ishshok të akademisë, i cili kishte pasur një karrierë ushtarake të shkëlqyer. Kur dëgjoi historinë e persekutimit të shokut shqiptar, italiani i tha: “Me jetën që ke bërë ti, me kalvarin tënd, je ti që je ngjitur shumë herë më lart se unë. Ti je tri herë më i nderuar se unë, ti je shenjtëruar si një martir i fesë, i së drejtës, i lirisë, i nderit, i virtytit. Dhe unë përulem me respekt para teje, para dhimbjes sate, vuajtjeve të tua, jetës tënde të martirizuar.” F. 1, V. 2014, D. 14, f. 92-93; Uran Kalakulla, Për bashkëvuajtësit e mi nën komunizëm, (Tiranë: PRINCI, 2011), 122-26.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit