(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Klerik katolik, martir i Kishës. Lindi në Mali Kolaj, në Velipojë, më 16 nëntor të vitit 1917. Pas shkollës fillore dhe të mesme, që e kreu në Seminarin Papnor Shqiptar në Shkodër, i vazhdoi studimet në Itali. U shugurua meshtar në Castel Gandolfo të Romës, më 20 dhjetor 1942. Pas kthimit në Shqipëri, shërbeu në zonën e Dajçit të Bregut të Bunës. Është një nga dy klerikët (bashkë me Atë Konrad Gjolajn [shih]) që nuk pranuan të nënshkruanin Statutin e Kishës Katolike të Shqipërisë (26 qershor 1951). U arrestua ngaqë dërgoi jashtë shtetit listën e meshtarëve të pushkatuar. Me vendim nr. 5, datë 27 tetor 1952, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë e deklaroi fajtor për «tradhëti ndaj atdheut» dhe për «agjitacion e propagandë» dhe e dënoi me vdekje, me pushkatim, si dhe konfiskimin e pasurisë. U pushkatua më 12 maj 1959, në moshën 42 vjeçare. U shpall martir i Kishës nga Papa Françesku në prill të vitit 2016. Azem Qazimi, Procesimi i asgjesimit të fesë në komunizëm, ISKK, 2012, IV, f. 96; F. 5, Viti 2016, D. 35, f. 27-28.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI V
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit