MATJANI Hamit
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Ushtarak. Lindi në vitin 1910, në Peqin. Kreu studimet ushtarake të xhandarmërisë në Napoli, Itali. Në vitet ’30-të shërbeu në poste të ndryshme në xhandarmëri. Më 1939 luftoi kundër ushtrisë pushtuese italiane në Vlorë. Italianët e cilësuan «element me rrezikshmëri të lartë» dhe e arrestuan. U dënua me vdekje, me varje në litar, por më 27 shkurt 1940 u arratis nga burgu dhe vazhdoi qëndresën e armatosur. Më 1943, me rënien e Italisë fashiste, u rikhtye në xhandarmëri. U përplas me forcat komuniste dhe në tetor 1943, Brigada I ekzekutoi 65 vetë në fshatin e tij. Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, u largua nga Shqipëria dhe në emigracion punoi për rrëzimin e tyre. Hyri në Shqipëri 26 herë, në të gjitha rastet përmes kufirit tokësor me Greqinë. Herën e fundit zbarkoi nga ajri, më 1953, dhe u kap nga Sigurimi i Shtetit, përmes një kurthi të organizuar prej tij. Grupi i tij u dekonspirua nga bashkëpunëtori britanik i KGB-së sovjetike, Kim Filbi, por për organizimin e kurthit u përdorën dhe disa të ashtuquajtur diverasantë që, nën tortura, kishin pranuar të punonin për Sigurimin. U ekzekutua më 14 prill të vitit 1954.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI V
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]