MERLIKA Hamid Xheladin

MERLIKA Hamid Xheladin
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Lindi më 1921 në Krujë, ku kreu dhe shkollën qytetëse. Në vitet 1936-1938 vazhdoi një shkollë profesionale për rrobaqepësi në Tiranë. Fillimisht punoi në Durrës e, më vonë, në Krujë. Në fund të vitit 1944 u mobilizua ushtar, si efektiv i komandës së lagjes së re të Tiranës, dhe punoi në rrobaqepësinë ushtarake, po në Tiranë. U munduan ta implikojnë, që ta zhdukin, meqë ishte bir i fisit Merlikaj dhe ia arritën qëllimit. Organizuan arrestimin e një vajze që ishte në lagjen ku banonte Hamidi, duke provokuar këtë në shtëpinë e tij dhe, po atë ditë, më 25 janar 1945 e arrestuan me akuzën se ka plagosur dy partizanë. Pas gjashtë muajsh hetuesie dhe disa seancash gjyqësore, më 14 gusht 1945 u dënua me vdekje. Po atë natë u arratis nga burgu. Jetoi i fshehur për dy vjet në Tiranë, derisa u largua në drejtim të Greqisë. Por personi që po e ndihmonte për t’u arratisur, lajmëroi forcat e sigurimit. Si pasojë, u vra në fushat e Dropullit më 1947. U varros në Gjirokastër, por varri nuk i dihet as sot e kësaj dite.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI V
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]