(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Shkrimtar, publicist. Lindi në vitin 1930, në Tiranë. Në moshën 12 vjeçare u lidh me lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe u internua në kampin e Prishtinës. Pas lufte punoi si gazetar, duke iu kushtuar në të njëjtën kohë letërsisë. Guxoi të vërë në dyshim ligjet e realizmit socialist dhe të mbrojë të drejtën e shprehjes së mendimit të shkrimtarit Kasëm Trebeshina [shih]. Me vendim nr. 5/1, datë 26 qershor 1954, të Komisionit Qendror të Internim-Dëbimeve, u internua në Shtyllas të Fierit për 5 vjet kohë, për «pikëpamje antiparti në fushën e letersisë» dhe iu hoq e drejta e botimit. U lirua me vendim nr. 8, datë 25 tetor 1954, por për njëzet e pesë vitet në vazhdim punoi si shitës cigaresh. Veprat e tij, midis të cilave edhe romani autobiografik «Shkrimtari» (shkruar më 1964), u botuan pas rënies së diktaturës. Vepra: “Shkrimtari” (1994), “Në kërkim të identitetit: artikuj, ese, intervista, letra” (2000). F. 5, Viti 2016, D. 39, f. 47-48.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI V
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit