NDOJA Dom Ndoc
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Meshtar katolik, një nga nënshkruesit e Statusit të Kishës Katolike të Shqipërisë (26. 06. 1951). Lindi në Shkodër, më 5 shkurt të vitit 1914, në një familje me origjinë nga Mirdita (Vela). Mësimet e para i mori në Seminarin Papnor në Shkodër, kurse studimet e larta për teologji e gjeografi i kreu në Gjenova të Italisë. Më 1931 tha meshën e parë. U caktua famullitar në Jubë (Durrës), pastaj në Përlat (për 7 vjet), në Selitë e, së fundi, në Bilaj të Krujës. Që këtu e larguan shpejt, por ai vazhdoi të shërbente fshehtas në shtëpinë e vet, duke e shqetësuar kësisoj këshillin e lagjes. Ditën kur vdiq e ëma, ia bëri të gjitha nderimet kishtare. Dhe kur mbi varrin e saj vuri kryqin, «aktivistët» e lagjës e hoqën. Atëherë ai ia bëri me guralecë mbi dheun e varrit. Për këtë arsye dhe u arrestua më 1976 për «agjitacion e propagandë» dhe u dënua me 10 vjet burg, nga të cilat bëri 7, të gjitha në burgun e Burrelit. Vdiq në vitin 1996. Prengë Gjergj Gjomarkaj, Mirdita nën terrorin komunist, ISKK, Tiranë 2016, f. 212-213; Uran Kalakulla, Dom Ndoc Ndoja, në Për bashkëvuajtësit e mi në Komunizëm, «Princi», Tiranë 2011, f. 40-44.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]