NDOJA Mark
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Shkrimtar, studijues, përkthyes. Lindi në fshatin Iballë të Pukës, më 29 mars të vitit 1912, në një familje me origjinë nga Toplana (familja Pemati) e Dukagjinit. Mbetur jetim në moshën 11 vjeçare, nën kujdesin e Imzot Pietro della Pietra-s, u regjistrua në Shkodër në jetimoren e Jezuitëve. Më pas vijoi studimet në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, në degën e studimeve klasike, ku pati profesorë Dom Ndre Mjedën, Atë Zef Valentinin etj. Bënte pjesë në rrethin letrar të Gjergj Fishtës, që i botoi dhe librin e parë. Me mbylljen e shkollave fetare ku ishte diakon, përfundoi Liceun në Shkodër. U emërua mësues i Gjuhës dhe Letërsisë në Liceun e Korçës (1938- 1940) dhe në Liceun e Shkodrës (1940- 1946). Më 1941, në emër të profesorëve të Liceut të Shkodrës, i paraqiti një kërkesë Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, për t’iu përgjigjur akuzave denigruese të Fulvio Cordigniano-s ndaj shqiptarëve. Që nga viti 1941 u zgjodh anëtar i KANÇit, si përfaqësues i nacionalistëve. U bë komunist vetëm në korrik 1944, pas vrasjes së shokut të tij, Manush Alimanit. U zgjodh deputet i Shkodrës në dy legjislaturat e para pas luftës. Në Gjyqin e Deputetëve, gjatë hetuesisë së Enver Zazanit [shih], u akuzua si anëtar i organizatës së «Grupit të Deputetëve». Në prill të vitit 1946, u emërua në Ministrinë e Arsimit, më 28 janar 1947 Sekretar i Përgjithshëm i Institutit të Shkencavet dhe, më 1950, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve. Më 1953 nisi dhe përndjekja ndaj tij, për kundërshtitë ndaj zbatimit të Metodës së Realizmit Socialist dhe, sidomos, modelit sovjetik të saj. Më 1954 u shkarkua nga funksionet dhe u emërua mësues në gjimnazin «Qemal Stafa». U arrestua më 24 qershor 1955 me urdhër të hetuesit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Major Raqi Zavalanit, «për veprimtari armiqësore kundra Pushtetit»: «Në fillim aktiviteti i tijë ka qenë drejtuar kundër politikës së Partisë dhe të Shtetit në lëmin e letërsisë. […] Ai ka shprehur mendimin e tij mbi pazotësinë e njerzve të Partisë për të zgjidhur problemet e letërsisë. […] U vërtetua se i pandehuri Mark Ndoja ka filluar të shkruajë një seri vjershash me përmbajtje antishtetërore në të cilat ve në lojë udhëheqësit e Partisë dhe të shtetit. Mendimet e çfaqura në këto shkrime, ashtu si e pranon edhe vetë i pandehuri, janë antishtetërore dhe ato dëmtojnë interesat e shtetit t’onë të demokracisë popullore. Karakteri armiqësor i këtyre shkrimeve del i qartë edhe nga fakti se i pandehuri nuk kishte asnjë mëri ose mosmarëveshje personale me personat kundër të cilëve ai ka shkrojtur në mënyrë fyese dhe diskreditonjëse dhe me qëllim antishtetëror. U provua se Mark Ndoja ka folur haptazi në mënyrë armiqësore kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Ai ka thënë se masat e marra kundër tij dhe personave të tjerë, që përkrahin pikëpamjet e tijë në letërsi, tregojnë se Republika Popullore e Shqipërisë po kalbet. U provua se po në këtë kohë ai ka përkthyer një strofë të një vjershe të poetit Hajne ku flitet për trajtimin e keq të poetëve nga regjimi i Kajzerit dhe me anë të kësaj vjershe ka dashur të paraqesë gjëndjen e vendit t’onë sikur edhe këtu shkrimtarët trajtohen keq nga ana e Partisë dhe e Shtetit. […] Ai është munduar t’i paraqesë organet e drejtësisë si organe terroriste. […] Përmbajtja e shkrimeve të tija dhe e mendimeve është haptazi antishtetërore. Këtë i pandehuri e ka kuptuar dhe për deri sa e ka vazhduar në mënyrë sistematike del se edhe e ka dëshiruar një dëmtim të tillë.» Një nga akuzat ishte edhe zgjedhja e tij për të shkruar gegnisht. Më 16 janar 1956, me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, u dënua me 6 vjet burg, «për krimin e agjitacjonit dhe të propagandës kundër Republikës Popullore të Shqipërisë». Dënimin e vuajti në burgun e Burrelit. U lirua më 1960 dhe, deri më 1964, bashkëpunoi si përkthyes i jashtëm i shtëpisë botuese «Naim Frashëri». Përtheu nga shqipja në italisht në anonimat një vëllim me tregime të autorëve të rinj shqiptarë, veprën e Mjedës, Kënga e fundit e Balës të Gavril Darës. Përktheu në shqip Komedinë Hyjnore të Dante Alighierit, veprën e Horacit, Antologji të Poetëve të mëdhenj italianë. I dërgoi një letër Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut për botimin e përkthimit të Ferrit me rastin e 700 vjetorit të lindjes së Dantes dhe, si përgjigje, më 25 dhjetor 1964, ditën e Krishtlindjeve, u internua në ishullin e Zvërnecit. Më 1968, një ditë para se të transferohej në Berat, i ra një iktus cerebral dhe u mbajt i paralizuar në spitalin e Vlorës nga Dr. Ibrahim Dervishi, dhe 6 muaj në Spitalin e Burgut në Tiranë. U lirua në qershor 1968. Vdiq në Tiranë, më 22 qershor të vitit 1972. Vepra: Ode Mark Kapidanit, Bot. Françeskane, 1933; Letërsia e huej, Instituti Pedagogjik, 1947; Vjersha dhe Poema, 1950; Ded Gjo Luli, tragjedi, 1994; Kritika Klasike dhe leksione greko-romake, 2003; Antologji (nga Dante te D’Annunzio), 2012; Letërsia Botërore, 2006-2013, 2 vëll. Lirika e Fishtës, 2006. Përkthime: Dante Alighieri, Komedia Hyjnore; Horaci, Satira; N. Mjedja, Andrra e Jetës, Opere scelte; Giorgio Fishta, Un fior d’autunno. Dorëshkrime: Gavril Dara, Ultimo canto di Bala, përkthim; Jehe të mekuna, poezi, 2 vepra mbi Skënderbeun; Lavdi e shekujve, tragjedi, dhe Trilogji kreshnike, roman në vargje. AMPB, F.1, Hetimor-Gjyqësor, D. 4739, Mark Ndue Ndoja; AISKK, F. 1, Viti 2017, D. 98, f. 183-184.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]