Ndotje e ujit
(Term – Mjedisor)
Ndotje e ujit
(anglisht: Water pollution)
✦ Ndotje e ujërave sipërfaqësore të lumenjve, deteve ose oqeaneve me lëndë helmuese ose të dëmshme për peshqit e kafshë të tjera dhe për njeriun. Ndotja e ujërave të ëmbla shkaktohet kryesisht prej mbeturinave kimike e bujqësore, duke përfshirë mbeturinat industriale, metalurgjike, të lëndëve larëse e të parazitëmbytësve. Ndotja e ujit të deteve, përveç këtyre, shkaktohet edhe prej shkarkimit të ujërave të zeza të papastruar mirë, nga mbeturinat helmuese si dhe nga derdhja e naftës. Gjurmë insektembytësish, të cilat vijnë me ujërat që nga fushat bujqësore, janë gjetur në peshq të zënë në mes të oqeanit. Gjiret e detit dhe grykat e derdhjes së lumenjve ndoten mjaftë prej lëndëve larëse që shkarkohen, të cilat, sidomos ato që përmbajnë fosfate, pengojnë rritjen e algave. Njollat e vajrave që notojnë, dëmtojnë jetën e peshqve dhe të zogjve dhe shkaktojnë ndotjen e bregdeteve. Po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen ndotja termike e lumenjve dhe e grykëderdhjeve të tyre në dete, që shkaktohet prej derdhjes së ujërave të nxehta të centraleve elektrike. Po ashtu po bëhet shqetësuese ndotja e ujërave prej merkurit.