NDRECA (nikolli) Ndue Zef

NDRECA (nikolli) Ndue Zef
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Nëpunës. Lindi në vitin 1916, në fshatin Bisakë të Fanit. Pas mbarimit të Konviktit të Oroshit, vazhdoi shkollën Françeskane në Shkodër. Në vitet 1943-1944 ishte nëpunës në Ministrinë e Brendshme në Tiranë. Në vitet e para të regjimit komunist (1945- 1946), u caktua nga Shefi i Arsimit të hapte shkollat në Srriqe të Fanit e në Qafë të Malit. Por si nip i Gjon Marka Gjonit [shih], nuk mundi t’i shpëtojë valës së persekutimit. Me vendim nr. 692, datë 28. 12. 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës e deklaroi fajtor «për bashkëpunim me të arratisurit» dhe e dënoi me 15 vjet burg. Përfitoi nga një amnisti dhe u lirua më 2 tetor të vitit 1951. U arrestua sërish më 20 shtator 1969. U lirua pas kryerjes së dënimin, më 1976. U arrestua për herë të tretë më 1978, dhe më 27 korrik të po atij viti, u deklarua fajtor për «tradhti ndaj atdheut, në formën e kryerjes së detyrave për agjenturën e huaj» dhe për «agjitacion e propagandas kundër pushtetit popullor» dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë. U lirua më 21 mars të vitit 1991, pasi kish kryer gjithsej pak më shumë se 24 vjet burg. Prengë Gjergj Gjomarkaj, Mirdita nën terrorin komunist, ISKK, Tiranë 2016, f. 270-271.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]