OROSHI (çoku) Imzot Zef

OROSHI (çoku) Imzot Zef
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik i lartë katolik, Ipeshkëv, themelues i së parës kishë katolike shqiptare në SHBA, Zojës së Këshillit të Mirë (Bronks, Nju Jork), botues, përkthyes. Lindi më 23 nëntor të vitit 1912, në familjen Çoku, në Kaftallë të Mirditës. Mësimet fillore i kreu në vendlindje, në «Konviktin» e Oroshit, ndërsa shkollën e mesme e filloi në vitin 1927 në Kolegjin Saverian në Shkodër dhe, pas një viti, e vazhdoi në Seminarin e Vogël në Thiene (Itali). Më 22 tetor 1936 filloi studimet për teologji në Kolegjin Ndërkombëtar. U diplomua më 1940, në Kongregacionin e përhapjes së fesë dhe u shugurua nga Kardinali Pietro Fumasoni-Biondi. Po këtë vit i ndërpreu studimet doktorale dhe u kthye në Shqipëri, ku Ipeshkvi i Mirditës, Imzot Frano Gjini [shih], e caktoi sekretar të tij. Në të njëjtë kohë, shërbeu si famullitar administrator i Kishës së Shën Kollit në Spaç dhe, nga viti 1942, si famullitar i kishës së Maria Magdalenës në Ungrej. Më 1946, Imzot Gjini e emëroi Këshilltar Dioqezan. Në vitin 1951, Forcat e Ndjekjes së Sigurimit, nën komandën e Toger Babës, tentuan ta arrestonin teksa jepte meshë, por arriti t’iu ikte. I mbështetur nga besnikët e tij të famullisë së Ungrejt, në mesin e vitit 1951 kaloi kufirin me Jugosllavinë. Në vitet 1952-1954 studioi në Beograd për filologji e filozofi. Më 1954 vajti në Itali (Romë), ku më 1960 vazhdoi studimet doktorale në teologji, që i kish ndërprerë më 1940. Në vitin 1961, Vatikani e dërgoi në SHBA, si udhëheqës shpirtëror të shqiptarëve. Që prej vitit 1966, atje botoi të përtremuajshmen anglisht-shqip «Jeta Katholike Shqiptare-Albanian Catholic Life». Tre vjet më vonë (1969), themeloi të parën kishë katolike shqiptare në SHBA, kishën e Zojës së Këshillit të Mirë (sot Zoja e Shkodrës), në Bronks, Nju Jork. Mesha e parë në të u mbajt në Krishtlindjet e vitit 1969. Më 1973 themeloi «Qendrën Katolike Shqiptare» (Albanian Catholic Center). Në janar 1974, pas botimit të «Shkrimit të Shenjtë (Katër Ungjijtë dhe Punët e Apostujve)», Papa Pali VI (1963- 1978), i dha titullin e nderit Imzot, për meritat e tij ndaj Shqipërisë dhe për punën baritore me shqiptarët në emigracion, dhe e priti në audiencë në Selinë e Shenjtë. Më 1986 u tërhoq nga famullia dhe këtë detyrë ia besoi Dom Rrok Mirditës, më vonë Arqipeshkëv i Arkidioqezës Tiranë-Durrës. Vdiq në spitalin «Albert Einstein», në Nju Jork, më 15 mars të vitit 1989. Përkthime: «Ungjilli sipas Mateut», 1960; «Shkrimi i shenjtë: Katër Ungjijtë dhe Punët e Apostujve». Tomë Mrijaj, Monsinjor Dr. Zef Oroshi: Një jetë e shkrirë për fe e atdhe, New York 2009; Zef Oroshi, Si e njoha Fan Nolin, në «Flamurtar i Kombit (1882-1982)», Editor Eduard Liço, Federata Pan Shqiptare «Vatra», Boston, Mass.; Markus W. E, Peters, Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996, Qendra Botuese Shoqata Jezuite «Ylber», Tiranë 2010, f. 308-309. F. 1, Viti 2017, D. 95, f. 90-91.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]