(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Dramaturg, Zv/Ministër i Arsimit dhe Kulturës, kryeredaktor i së përditshmes «Zëri i popullit», Ministër i Kulturës dhe Arteve, kryetar i Kuvendit Popullor. Lindi në Shkodër, më 25 maj të vitit 1922. U shkollua në mesin e françeskanëve në qytetin e lindjes. Pastaj u dërgua në Bolonjë për të studijuar mjekësi. Më 1942 i ndërpreu studimet, për t’u bashkuar me lëvizjen partizane në Shqipëri. Pas lufte punoi në organizatën e rinisë komuniste dhe, më vonë, u zgjodh Zv/Ministër i Arsimit dhe Kulturës nën Sejfulla Malëshovën [shih], dhe kryeredaktor i së përditshmes «Zëri i popullit» (1948-1957). Më 1965-1966 ushtroi detyrën e Ministrit të Kulturës dhe të Arteve, dhe nga viti 1971 deri më 1973 atë të kryetarit të Kuvendit Popullor. Pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH (25 dhjetor 1972), u akuzua për liberalizëm. Dhe në Plenumin e Katërt të Komitetit Qendror (26-28 qershor 1973), ai dhe Todi Lubonja [shih], u piketua nga Enver Hoxha në një fushatë kundër ndikimeve të huaja liberale në kulturën shqiptare. U arrestua më 21 tetor 1975 dhe, pas tetëmbëdhjetë muajsh në burgun e Tiranës, në mars 1977 u shpall fajtor për sabotim në fushën e kulturës, sepse kishte lejuar ndikimet e huaja, duke zvetënuar kësisoj rininë. U dënua me 25 vjet burg. Dënimin e vuajti në burgun e Burrelit dhe në atë të Kosovës së Madhe në afërsi të Elbasanit. U lirua më 17 mars të vitit 1991, dy javë përpara zgjedhjeve të para pluraliste. Vepra: «Dy drama» (Në tufan, Mbi gërmadhat), Tiranë 1963; «Tri drama» (Shtëpia në bulevard, E bardha dhe e zeza, Rrugëve të pashkelura), Tiranë 1968; «Edhe tri drama» (Ngjarje në fabrikë, Njëzet ditë, Lagja e vjetër), Tiranë 1970. Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, «Dukagjini», Tiranë-Pejë 1997, f. 374, 432.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit