(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Një nga aktivistët kryesorë të organizatës «Fronti i Bashkuar i Rezistencës ». Lindi në Laç, më 1917. Kreu studimet për ndihmës mjek dhe shërbeu në spitalin e Laçit. Në fillim të vitit 1949 u transferua në ambulancën e Milotit. U arrestua në vitin 1951 dhe, më 9 tetor 1951, me vendim nr. 524, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë e deklaroi fajtor për «dhënie informatash dhe bashkëpunim me diversantët», dhe e dënoi me 20 vjet burg, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtës për 5 vjet kohë kohë. Teksa po vuante dënimin, u bë nismëtar për hapjen e kanalit në kampin e punës nr. 4 në Tiranë (prill-31 maj 1954). Më 14 qershor 1954, pas dështimit të aksionit, kampi u rrethua me autoblinda dhe u riarrestuan 22 persona. Më 17 korrik të po atij viti, në Gjykatën e Lartë Ushtarake, filloi gjyqi kundër tij dhe 21 të akuzuarve të tjerë. Dhe me vendim nr. 189, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë e deklaroi fajtor për «pjesmarrje në organizatë kundër pushtetit popullor me qëllim arratisje jashtë shtetit», dhe e dënoi me vdekje, me pushkatim. U ekzekutua më 14 gusht 1954, bashkë me Isuf Velçanin [shih], Zyhdi Mancakun [shih] dhe Abdulla Bajramin [shih]. Fiorito Petrela, Qëndresa e armatosur antidiktatoriale në malet e Shqipërisë së mesme në vitet 1944-1950: Desantët (diversantët) në vitet 1949-1953, Tiranë 1999; AISKK, F. 1, V. 2017, D. 86, fl. 81-82.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit