PERVIZI Valentin Prenk

PERVIZI Valentin Prenk
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Ushtarak, i biri i gjeneral Prenk Pervizit [shih]. Lindi më 1 korrik të vitit 1920, në fshatin Skuraj të Kurbinit. Arsimin fillor e kreu në Institutin «Santa Maria», në Romë, të mesmin në kolegjin salezian «Shën Gjon Bosko» në Lanzo Torinese, kurse studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Modenas. Më 1941 doli oficer. Në tetor të vitit 1944 u kthye në Shqipëri. U arrestua në dhjetor të po atij viti, pas kryengritjes së Postribës, dhe u internua për 3 vjet kohë në Berat. Një vit pas lirimit, u arrestua sërish, bashkë me të vëllanë, Lekë Pervizin [shih], dhe u internua në Porto Palermo. Pas një viti u transferua në kampin e Tepelenës. Pas mbylljes së kampit më 1953, u transferua në Plug të Lushnjës. Një vit më vonë, u dërgua në Shtyllas të Fierit e, prej këtu, në Kuç të Kurveleshit. Që këtu, më 1958 e kthyen në Gradishtë të Lushnjës. Më 1991 u largua në Itali, ku u bashkua me të shoqen, me të cilën qe ndarë 47 vjet më parë. Vdiq në Bolonjë, më 1998. Lek Pervizi, Im atë gjeneral Pervizi: një jetë kushtue Atdheut, «Dorian», Bruxelles 2014; «Zërat e kujtesës», Vëllimi I, ISKK, Tiranë 2014, f. 256-337; Fatbardha Saraçi (Mulleti), Kalvari i grave në burgjet e komunizmit, ISKK, Tiranë 2013, f. 143; Lek Pervizi, Odiseja e pafajsisë, «Dorian», Bruksel 2017.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]