PESHKËPIA Gëzim
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

I biri i Manush Peshkëpisë [shih], publicist, anëtar i bordit të ISKK-së. Lindi në Tiranë, më 9 qershor të vitit 1940. Pas pushkatimit të të atit, më 3 mars 1951, familja Peshkëpia u internua në Berat. Pas Beratit, familja u transferua në Kavajë. Për disa vjet punoi si mësues në fshatrat më të thella të Lushnjës, Kavajës dhe të Durrësit, gjithmonë nën survejimin e Sigurimit, si djalë i «armikut të popullit», Manush Peshkëpisë, të pushkatuar nga Partia. Si rezultat i luftës së klasave, më 1966 u pushua nga arsimi dhe punoi si piktor, saldator e deri si kujdestar pulash në ekonomitë ndihmëse të ndërrmarjes. Në këtë kohë kreu dhe liceun artistik (me korrespondencë). U arrestua më 18 tetor të vitit 1975, dhe me vendim nr. 180, datë 30. 03. 1976, Gjykata e Rrethit të Tiranës e dënua me tetë vjet burg për «agjitacion e propagandë», dënim të cilin e vuajti kryesisht në burgun e Ballshit. Pas daljes nga burgu jetoi në Kavajë. Me hapjen e ambasadeve, në korrikun e vitit 1990, së bashku me bashkëshorten e dy fëmijët e tyre, u larguan në Gjermani. Gjatë periudhës katërmbëdhjetë vjeçare që jetoi në Gjermani, punoi si mësues i gjuhës shqipe në rrethin e Soestit dhe si nëpunës në administratën shtetërore të rrethit Kreisarchiv. Me rastin e 60-vjetorit të lindjes, në vitin 2000, Këshilli Bashkiak i qytetit të Kavajës i akordoi titullin «Krenaria e Qytetit». Është dekoruar edhe me «Medaljen e Mirënjohjes» nga Presidenti i Republikës. Vepra: Skënderbeu në Prishtinë. Skënderbeu dhe baca Sylë, Prishtinë 2001; O njeri…!, Tiranë 2009. Nebil Çika (i Riu), Zërat e mbijetesës, ISKK, Tiranë 2013; Gëzim Peshkëpia, O njeri…!, Tiranë 2009; Uran Butka, Bombë në Ambasadën Sovjetike, Tiranë 2008.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]