PETRELA Ismail Agë
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Nacionalist, deputet në Asamblenë Kushtetuese, pjesëtar i Ballit Kombëtar. Lindi në Tiranë, në vitin 1890. Arsimi fillor e kreu në qytetin e lindjes dhe në Manastir, kurse studimet e mesme për farmaceutikë në Francë. Më 1924 iu bashku lëvizjes së Fan Nolit, por pas dështimit të saj, emigroi në Itali, prej nga u kthye katër vjet më vonë, më 1928. Më 1935 u arrestua si pjesëmarrës në lëvizjen e Fierit dhe u internua në Porto Palermo. Më 1936, Mbreti Zog e fali me amnisti. Më 12 prill 1939, u zgjodh deputet në Asamblenë Kushtetuese. Më 1940 nisi luftën kundër pushtuesve italianë, duke krijuar një çetë nacionaliste. Më 1942 mori pjesë në Konferencën e Pezës, dhe në gusht 1943 në Konferencën e Mukjes, ku iu bashkangjit forcave të Ballit Kombëtar. U pushkatua nga partizanët mesnatën e 12 nëntorit të vitit 1944, në bodrumet e hotelit «Bristol», që ishte në pronësi të tij, së bashku me shumë nacionalistë të tjerë. https://www.voal.ch/ismail-age-petrela-epushkatojne- me-12-nentor-1944/; Uran Butka, Lufta Civile në Shqipëri: 1943-1945, vëllimi II, ISKK, Tiranë 2015, f. 270; https://tirona.info/ ismail-islam-petrela-deputet-1939/.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]