Zorrët e holla

A. Ulçera duodenale
1. Pothuaj të gjitha ulçerat duodenale shoqërohen me shtim të prodhimit të acidit; 80% e rasteve shoqërohen me shtim të acidit gjatë natës.
2. Helikobakteri gjendet në 90% të ulçerave duodenale.
3. Duhani dhe alkooli e shtojnë rrezikun e ulçerës duodenale.
4. Shenjat dhe simptomat: dhimbje rënduese ose djegëse në epigastër rreth 1 deri në 3 orë pas ushqimit; dhimbja lehtësohet nga ushqimi; dhimbja shpesh i zgjon pacientët nga gjumi; pacientët shpesh kanë melena.
5. Diagnoza: endoskopi, grafi me barium nqs nuk mund të bëhet endoskopia.
6. Trajtimi:
a. Mbrojtës të mukozës: bismut, sukralfat, misoprostol.
b. Bllokues të pompës protonike ose bllokues të H2.
c. Trajtim i helikobakterit.
7. Pasojat:
a. Hemoragji: (i) hematemezë, melena, ose edhe hematokezi; (ii) diagnoza vihet me endoskopi; (iii) trajtimi bëhet me sklerotizim ose koagulim endoskopik; operacioni rrallëherë është i nevojshëm për këtë punë.
b. Perforimi: (i) dyshohet kur ka ndryshim në simptoma dhe në mënyrën se si ndiehet dhimbja; (ii) në grafi abdominale pa kontrast mund të shihet ajër në peritoneum; nqs përdoret kontrast duhet përdorur gastrografinë – nuk duhet përdorur bariumi kur dyshohet se ka perforim!!; (iii) trajtimi është kirurgjik, duhet bërë operacion menjëherë.

B. Sëmundja Crohn
1. Është sëmundje inflamatore shkaku i të cilës nuk dihet.
2. Zakonisht prek zorrën e hollë, por mund të prekë çdo pjesë të sistemit tretës, që nga goja e deri tek rektumi.
3. Shenjat dhe simptomat: dhimbje, diarre, mosthithje e ushqimeve, ethe, ngushtim dhe bllokim i zorrës, fistula; artrit, irit, eritemë nodoze, piodermë gangrenoze, kolangit sklerotizues.
4. Diagnoza: endoskopi dhe biopsi:
a. Në endoskopi mukoza duket si kalldrëm, ka fisura të shumta, midis zonave të prekura nga sëmundja ka zona të paprekura.
b. Në biopsi shihet inflamacion transmural (në gjithë trashësinë e murit të zorrës) dhe granuloma pa qendra nekrotike (noncaseating).
5. Trajtimi:
a. Sulfasalazinë (acidi 5-aminosalicilik).
b. Kortikosteroidë gjatë keqësimeve akute të sëmundjes.
c. Barna antiimune: azatioprinë dhe 6-merkaptopurinë nqs sëmundja nuk përmirësohet ndryshe.
d. Ilaçi më i ri janë antitrupat monoklonalë të drejtuar ndaj TNF-alfa.

C. Sindromi karcinoid
1. Tumori karcinoid e merr origjinën nga qelizat argjentofine (që njihen edhe si APUDocite, qeliza enterokromafine, qeliza enteroendokrine, etj).
2. Tumoret karcinoide shpesh gjenden ne apendiks.
3. Simptomat e tumorit karcinoid shfaqen kur ka metastaza në mëlçi; serotonina e sekretuar nga metastazat në mëlçi i anashkalon hepatocitet dhe kalon në qarkullimin sistemik.
4. Shenjat/simptomat: skuqje, diarre e ujshme, dhimbje barku, bronkospazmë, dëmtime të valvulave të anës të djathtë të zemrës.
5. Diagnoza: nivele të rritura urinare të 5-HIAA (acidi 5-hidroksiindolacetik); nivelet e 5-HIAA mund të rriten edhe nga ngrënia e tepërt e bananeve.
6. Trajtimi: Somatostatinë dhe methysergid.

 

Mjekësi e përgjithshme

[cite]