Tëmblagjaku
Tëmblagjaku
(latinisht: Chelidonium majus, familja Papaveraceae)
Përdorimi:
Pjesa mbitokësore e lulëzuar dhe e tharë e tëmblagjakut (latrapecit të madh, bar jodit) përdoret si drogë. Bima e freskët në vendin e këputjes nxjerr një lëng qumështor në ngjyrë portokalli i cili pengon zhvillimin e tumoreve dhe ka veti baktericide. Përdoret kundër dhimbjeve të mëlçisë së zezë; për shtimin e rrjedhjes së tëmthit; kundër kollës së mirë; kundër krizave të astmës; si qetësues I ngërçeve të stomakut; si qetësues i dhimbjeve të fshikëzës së tëmthit. Më parë është përdorur kundër kancerit të lëkurës. Është i helmët prandaj përdoret nën mbikëqyrjen e mjekut.
Përgatitja:
½ lugë kafeje me drogë të grimcuar hidhen në 1 gotë me ujë të sapozier; lihet 15 minuta. Pihen 1-2 lugë gjelle çdo 3 orë. Nëse dhimbjet vazhdojnë doza përsëritet gjatë ditës.
Në formë tinkture: 10 gr drogë e grimcuar dhe 20 gr gjethe angjinareje hidhen në 100 gr alkool 70 gradësh. Përzierja lihet 10 ditë duke e tundur herë pas here. Tinktura pihet në dozën 15-20 pika në pak ujë, 3 herë në ditë.
Si pomadë: 30 gr. drogë e pluhurosur përzihet me nga 15 gr lanolinë dhe vazelinë; i shtohen dhe 10 pika fenol. Plaga lyhet me pomadë, mbështillet me napë dhe mbahet e lidhur për 2-3 ditë. Mjekimi përsëritet derisa plaga të shërohet.
Burime, referenca dhe shënime:
✤ Lista e bimëve mjekësore
Fotografia
✤ H. Zell – Own work, CC BY-SA 3.0, https://commons.wikimedia.org/w/index.php?curid=9483063