Dete lave

Në të vërtetë rrjedha e lavës që ndodhi në Islandë ishte gjë e vogël, po të kemi parasysh disa rrjedhje që kanë ndodhur përpara lindjes së njeriut. Në pjesën veriperëndimore të Shteteve të Bashkuara gjendet një pllajë ose rrafshnaltë bazalti që mbulon hapësirën e pesë shteteve: të Uashingtonit, Oregonit, Ajdahos, Nevadës dhe Kalifornisë. Zona e përgjithshme bazaltike ka një sipërfaqe prej rreth 300.000 kilometrash katrorë, domethënë gati sa ajo e Italisë. Sasia e lavës së rrjedhjeve të ndryshme arrinte në rreth 10.0 000 kilometra kub, domethënë e barabartë me një bllok me gjerësi 100 kilometra dhe’ lartësi 10 kilometra. Luginat e thella rreth 1500 metra nuk u mbushën përsëri. Lumenjtë Snejk dhe Kolumbia gërryen në to shtretërit e tyre 1000 metra thellë. Mbeturinat e një mase bazaltike, që mbulon një sipërfaqe prej 700 000 kilometrash katrorë, formojnë një rrypinë të gjerë të lakuar që fillon në, Grënlandë, kalon përmes Islandës dhe Hibrideve e arrin deri në Irlandë. Këto rrjedhje, të gjera deri në 500 metra, gjenden në pjesën më të madhe në fundin e oqeanit.

Disa rrjedhje të magmës ndalojnë përpara se të arrijnë në sipërfaqen e tokës. Ky material i shkrirë ftohet e ngurtësohet dhe, pas një kohe të gjatë, mund të dalë në sipërfaqe si pasojë e gërryerjes. Magma, gjithashtu, mund ta zgjerojë rrugën e saj ndërmjet shtresave të shkëmbinjve dhe më vonë të ngurtësohet në formë rrasash, që gjeologët i quajnë shtresa damarore. Në qoftë se magma hap një shteg ndërmjet shtresave shkëmbore afër sipërfaqes, gjë që ndodh për sa kohë që shtresat e sipërme, të cilat fryhen si pasojë e këtij veprimi, e lejojnë një gjë të tillë, atëherë ajo ngurtësohet në formën e «lakoliteve». Në qoftë se, përkundrazi, magma ngurtësohet në grumbuj të thellë, formohen «batolitet». Grumbuj të tillë përmbajnë gjithnjë shkëmbinj granitesh, që janë formuar në epokat e lashta në zemrën e vargmaleve dhe që pas disa miliona vjetësh gërryerja i ka nxjerrë në dritë. Këto masa vigane graniti të ngurtësuar mund të jenë nganjëherë fundërrime shkëmbore si, për shembull, gurë ranorë ose argjilorë të lëngëzuar gjatë formimit të maleve.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]