Udhëtimet e ujit

Zona e poshtme e atmosferës, troposfera, që është në kontakt me sipërfaqen e detit dhe të Tokës, përmban gjithnjë një sasi të caktuar avulli uji. Në të vërtetë, nxehtësia diellore shkakton avullimin e një pjese të ujit të hidrosferës (dete, liqene, lumenj, gurra); sa më i nxehtë të jetë ajri, aq më shumë rritet hapësira ndërmjet molekulave të tij dhe aq më shumë avull uji mund të grumbullohet. Po të mendojmë se një masë ajri të nxehtë dhe të thatë drejtohet nga Toka në det, atëherë aty do të grumbullohen miliona grimca avulli uji; kur kjo masë të bjerë pastaj përsëri në kontakt me Tokën, ose të gjendet mbi një sipërfaqe uji më të ftohtë, do të ftohet edhe vetë dhe nuk do ta mbajë tërë këtë avull uji.

Nëpërmjet kondensimit, një sasi e vogël e avullit të ujit kthehet në gjendje të lëngët, domethënë formon pika të vogla të dukshme, të rrethuara nga molekula pluhuri; masa të mëdha pikash të tilla ribashkohen duke formuar retë, nga të cilat do të krijohen shiu dhe bora. Një pjesë e ujit që bie, përfundon nën tokë, një pjesë thithet nga rrënjët e bimëve, ndërsa një tjetër — shumë e vogël — përdoret nga njerëzit dhe nga kafshët; një pjesë e madhe avullon dhe kthehet sërish në ajër; por rreth një e katërta kthehet në det nëpërmjet lumenjve. Uji i lumenjve, duke rrjedhur teposhtë nga shkaku i forcës së rëndesës, mbart me vete rërë, argjilë dhe gurë. Këto materiale veprojnë mbi shtratin e lumenjve si gërryes dhe, me ndihmën e akullit e të faktorëve të tjerë gërryes, thellojmë vazhdimisht shtratin dhe gërryejnë luginat. Uji që ngrin në të çarat e shkëmbinjve, duke rritur vëllimin e vet, vepron si pykë dhe i zgjeron të çarat, duke e dobësuar shkëmbin derisa ai të thërrmohet; pastaj, nga forca e rëndesës copërat rrokullisen drejt fundit të luginës. Përveç kësaj, uji merr pjesë së bashku me gazet e ajrit në gërryerjen kimike të sipërfaqes së shkëmbinjve ose të truallit.

Uji që rrjedh nën tokë, i tret disa lloje shkëmbinjsh dhe hap tunele e shpella të fshehta. Veç kësaj akulli, domethënë uji në trajtën e ngurtë, i ha shpatet e maleve dhe thellon luginat. Më në fund uji i merr me vete të gjitha mbeturinat dhe me ndihmën e erës i grumbullon nëpër ultësirat dhe gjatë brigjeve, në vendet ku përfundojnë rrjedhjet e lumenjve. Toka, po të vështrohet nga një anije kozmike, duket si një rruzull ujor i ndërprerë nga ca ishuj të paktë. Në të vërtetë, rreth shtatëdhjetë për qind e sipërfaqes së planetit tonë është e mbuluar me ujë, nga oqeanet, liqenet dhe lumenjtë.

Oqeanet përmbajnë afro 450 milionë kilometra kub ujë. Megjithatë, sikur e gjithë pjesa e ngurtë e Tokës të formonte një rruzull krejt të rregullt, uji i oqeaneve do ta mbështillte të tërën në një trashësi prej jo më shumë se tri kilometrash. Për të arritur deri në qendër të Tokës do të duheshin edhe 6.000 kilometra e më shumë. Shkurt fjala, po t’i krahasonim ujin dhe tokën, uji i të gjitha deteve do të paraqitej me një shtresë me trashësi gjysmë milimetri, që do të mbështillte një glob me diametër një metër.

Natyrisht, këtu është fjala vetëm për ujin «e paqëndrueshëm»; rreth gjashtë milionë kilometra kub ujë ndodhen të përfshira në akujt e maleve dhe në ato të poleve. Kësula e akullt që mbulon pothuaj gjithë Grënlandën, ka një trashësi prej rreth tre kilometrash. Sikur papritur të shkriheshin të gjithë akujt e botës dhe i tërë uji të mblidhej në oqeane, niveli i tyre do të ngrihej afro 80 metra dhe të gjitha portet e mëdha të botës — Nju Jorku, Londra, Gjerova e plot të tjerë do te mbuloheshin nga uji. Detet janë në lëvizje të pandërprerë. Rrymat e tyre shkaktohen: nga rrotullimi i Tokës, nga erërat dhe nga ndryshimet e temperaturës, të kripësisë dhe të dendësisë së masave të ndryshme ujore. Baticat dhe zbaticat, që janë ndryshime të nivelit të ujit të detit, shkaktohen kryesisht nën veprimin e forcës tërheqëse të Hënës, por varen gjithashtu edhe nga pozicioni dhe nga forma e steresë dhe e fundit të detit.

Deti i jep atmosferës pjesën më të madhe të ujit që përmban ajo dhe që bie pastaj mbi tokë në formë reshjesh. Veç kësaj, deti vepron edhe vetë drejtpërdrejt mbi tokën: me të vërtetë, dallgët e detit dhe rrymat e ndryshme i gërryejnë vazhdimisht brigjet e të gjitha kontinenteve. Veç kësaj, rrymat detare marrin pjesë edhe në formimin e fundit të detit.

Brigjet e kontinenteve zbresin nën nivelin e detit në trajtën e platformave të pjerrëta. Meqenëse gjatë mijëvjeçarëve korja e Tokës ulet e ngrihet, këtë platformë herë dalin mbi ujë, herë zhyten, pastaj prapë dalin e kështu me radhë, pa pushim. Në disa periudha deti ka hyrë për disa kohë deri në zonat më të thella të kontinenteve të sotme. Në thellësitë e deteve ka fusha të gjera të mbuluara nga llumi i grumbulluar gjatë miliona vjetëve. Ky llum është i përzier me grimca ndryshku — mbeturina të ndryshkura të meteoritëve të panumërt që kanë rënë gjatë kohës mbi planetin tonë.

Tërë oqeani Atlantik, nga Irlanda gjer në Kepin Horn, përshkohet nga një «kreshtë mesore» malesh 17.000 kilometra e gjatë. Format e relievit nënujor, që paraqesin herë pas here maja shumë të larta, ndryshojnë nga format e relievit tokësor, sepse, për shkak të erozionit sipërfaqësor të shkaktuar nga dallgët dhe nga rrymat, janë më të ëmbla, më të buta. Majat e disa prej maleve nënujore arrijnë të dalin edhe mbi nivelin e detit, siç është rasti i Antileve të Vogla (në detin e Karaibeve) dhe i ishujve vullkanikë të Paqësorit Juglindor. Pranë vargmaleve nënujore kalojnë hendeqe 6-9 kilometra nën nivelin e detit, që e ndajnë fundin e detit në forma nga më të ndryshmet. Humnera më e thellë nënujore është humnera që shtrihet midis ishujve Marianë dhe Karolinë, e cila arrin thellësinë 10.915 metra. Çarje të tilla janë qendra të aktivitetit sizmik. Nga ana tjetër, disa prej tyre ndodhen në afërsi të vargmaleve vullkanike nënujore.

Në këtë botë të gjelbër të kripur, që përshkohet prej rrymash që ngjajnë me ca erëra të ngathëta, jetojnë një mizëri kafshësh e bimësh të ndryshme dhe aktive. njëlloj si në çdo vend tjetër të steresë. Edhe ato, njëlloj si ato tokësoret. kanë nevojë për oksigjen dhe gaz karbonik. lëndë këto të cilat deti ua siguron në trajtë të bashkuar me kripërat e nevojshme minerale, që uji i ka përvetësuar nga materialet e brigjeve. Disa lloj organizmash, për shembull koralet, ndërtojnë shkëmbinj brenda në det, ose ishuj të vërtetë. Veç këtyre ekzistojnë edhe të ashtuquajturat depozitime pellagjike të cilat janë fundërrime gëlqerore dhe silicore të formuara nga grumbullimet e algave mikroskopike dhe nga guaskat e foraminifereve në fund të detit. Megjithatë, edhe këta organizma tepër të vegjël kanë pjesën e tyre në shndërrimin e pamjes së planetit tonë.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]