Fusha që nxjerr tym
Parikutini u formua në vitin 1943, në një zonë malore rreth 320 kilometra larg qytetit Meksiko. Në këtë vit, në fillim të shkurtit, ranë disa tërmete, intensiteti i të cilave rritej çdo ditë. Më 20 shkurt, një fshatar vërejti një shtëllungë të vogël tymi që dilte nga ara e tij. Kjo shtëllungë sa vinte e rritej para syve të fshatarit të frikësuar dhe ditën tjetër kjo shtëllungë e vogël u kthye në një re të madhe që dilte nga një kon 30 metra i lartë. Koni bëhej gjithnjë e më i lartë dhe çdo shpërthim i zhurmshëm shoqërohej herë pas hare me një shi shkëmbinjsh dhe hiri.
Disa ditë më pas arritën shkencëtarët të pajisur me blloqe shënimesh, me aparate fotografike, me sizmografë, me instrumente shkencore të të gjitha llojeve. Ndërsa vrojtonin, toka rreth e rrotull konit u hap dhe filloi rrjedhja e lavës. Një pjesë e kësaj rrjedhe u shpërnda në një largësi deri 10 kilometra.
Brenda dy javësh copërat e shkëmbit dhe të skories krijuan një kon 150 metra të lartë, mbas tre muajsh ky u bë 330 metra dhe në fund të vitit të parë arriti në 420 metra. Sipas llogaritjeve, në vitin 1945 ky vullkan volli 16.000 tonë avull dhe 100.000 tonë lavë. Të gjitha fushat dhe pyjet disa kilometra rreth e rrotull u shkatërruan. Shumë fshatra dhe vetë qyteti i Parikutinit u varrosën. Fatmirësisht, banorët patën kohë për të shpëtuar.