Dukuritë e vullkanizimit dytësor

Dukuritë e vullkanizimit dytësor

Ekzistojnë disa shfaqje të aktivitetit të brendshëm të Tokës, që shkaktohen nga nxehtësia e brendshme; ato kanë një ngjashmëri të dukshme me vullkanizimin dhe shkaktojnë daljen e materialeve (jo të lavës) nga brendësia e Tokës. Për shembull, vullkanet sulfurore janë burime avujsh dhe gazi sulfuror; ato paraqitin fazën e fundit të aktivitetit vullkanik, në kuptimin e saktë të fjalës. Burimet e ngrohta krijohen nga uji që, para se të dalë nga korja e Tokës, kalon mbi shkëmbinj të nxehtë. Si rezultat i nxehtësisë dhe presionit, uji tret një sasi më të madhe mineralesh se zakonisht. Këto minerale mund t’i japin ujit një vlerë të posaçme mjekuese. Në këtë mënyrë krijohen burimet e ujërave të nxehta minerale, me të cilat Shqipëria është mjaft e pasur. Fumarolat janë çarje sipërfaqësore përmes të cilave dalin avuj uji që vijnë nga shtresa mjaft të thella. Nën tokë avujt e ujit arrijnë temperatura të tilla, në të cilat mund të shkrijnë edhe disa metale si hekuri, bakri dhe plumbi; pastaj, kur arrijnë në sipërfaqe, ato ftohen dhe lënë mbi truall shtresa të holla minerali. Në këtë mënyrë disa fumarola prodhojnë sasi të mëdha mineralesh metalike, si dhe sulfure dhe gaze të tjera të dobishme.

Mofetat janë vende prej nga çlirohet gazi karbonik. Në ishullin Java, në «Luginën e Vdekjes», ky gaz, që është më i rëndë se ajri,. shtrohet mbi tokë duke formuar një shtresë me trashësi më shumë se një metër e gjysmë, që nuk lejon të zhvillohet kurrfarë jete shtazore. E njëjta dukuri vërehet edhe në Itali, në një shpellë në afërsi të Napolit; këtu gazi karbonik, që çlirohet nga një çarje e ngushtë, formon mbi fundin e shpellës një shtresë rreth gjysmë metri të trashë. Njerëzit nuk e vënë re praninë e gazit, por në rast se në shpellë futet një qen, ai gjen vdekjen me siguri. Në këtë mënyrë u zbulua ekzistenca e mofetës në këtë shpellë, që u quajt më pas «Shpella e Qenit». Salcat janë shpërthime lluce dhe uji të kripur, që shkaktohen nga presioni i gazit që del së bashku me to. Ky gaz mund të jetë metan, gaz karbonik ose acid sulfhidrik. Shpërthime të ngjashme me këto, por me përmasa shumë të mëdha, janë shkaktarë të «vullkaneve të baltës» në Kaukazin Lindor, gjatë të cilave dalin bitume dhe naftë. Nganjëherë shpërthimet e këtyre vullkaneve arrijnë lartësinë 300 metra. Në detin Kaspik, afër Bakusë, janë formuar në këtë mënyrë ishuj të tërë prej balte.

Në disa troje shfaqen çlirime gazi metan, që ndizet me lehtësi kur ndeshet me ajrin, dhe formon të ashtuquajturat currile të zjarrta. Një nga pamjet më të bukura që ndeshet gati në të gjitha zonat vullkanike, krijohet nga gejzerët. Më i famshmi është gejzeri i mbiquajtur «Plaku Besnik», që ndodhet në Jellouston, në SHBA. Ai hedh përpjetë një curril avulli dhe uji të valuar me lartësi më s’e 50 metra. Edhe gejzerët janë burime ujërash të nxehta, por që karakterizohen nga ndërprerja. Ato formohen nga një kanal i përdredhur, i cili vazhdon poshtë dhe arrin deri në një zonë me shkëmbinj shumë të nxehtë. Uji nëntokësor futet në kanal dhe nxehet nga shkëmbinjtë. Pesha e ujit që ndodhet sipër tij e pengon në fillim ujin e mbinxehur të shndërrohet në avull; por uji nxehet gjithnjë e më shumë, derisa shndërrohet më në fund në avull, pavarësisht nga presioni i madh. Avulli zë pjesën më të madhe të hapësirës së mbushur fillimisht me ujë, kështu që fillon të ndrydhet në kanal dhe e detyron një pjesë të ujit që ndodhet më afër sipërfaqes, të dalë përjashta. Në këtë mënyrë zmadhohet hapësira në dispozicion të avullit, kështu që krijohet mundësia për t’u formuar një sasi e re avulli. Kjo sasi e re avulli e rrit shtypjen ndaj masës së ujit e të avullit që ndodhet sipër saj. Sa më shumë ujë që derdhet jashtë, aq më shumë avull formohet, derisa papritur pjesa më e madhe e ujit të kanalit shndërrohet në avull dhe hidhet me forcë në një lartësi të madhe. Nga ky çast kanali i boshatisur fillon të mbushet përsëri me ujë dhe të përgatitet për një shpërthim të ri. Gejzerët gjenden në tri zona të rruzullit tokësor: në Islandë, në Shtetet e Bashkuara (më saktë, parku kombëtar i Jelloustonit që u përmend më sipër) dhe në Zelandën e Re. Dukuri e ngjashme me gejzerët është formimi i shakujve të boraksit, që janë shkulme natyrore avujsh uji që dalin nga çarje të tokës me temperaturë afër 200 gradë celsius. Ato përmbajnë sasi të vogla acidi borik dhe në shumë raste dalin me forcë të madhe e me fishkëllima, duke arritur deri në lartësinë 20 metra. Më të përhapur shakujt janë në Islandë.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]