(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Ushtarak i lartë, prefekt i Gjirokastrës dhe më vonë i Shkodrës (1940-1942). Lindi në vitin 1890, në Gjirokastër. Kreu Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Koronë të Kalabrisë e më pas Akademinë Ushtarake në Napoli. Mes viteve 1924-1939 punoi si qark-komandant në Korçë, Berat e Shkodër. Pushtimi italian e gjeti në Shkodër, prej ku, pas një rezistence të shkurtër, bashkë me shumë oficerë të rrethit, kaloi kufirin jugosllav. Pas amnistisë, në vitet 1940-1942 shërbeu si prefekt në Gjirokastër dhe Shkodër. Gjatë pushtimit gjerman u transferua në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë, por pa kaluar shumë kohë dha dorëheqjen. U arrestua në nëntor të vitit 1944 dhe u dënua me vdekje, pushkatim. Vendimi u ekzekutua më 14 prill 1945. Më 20 nëntor të po këtij viti, Komiteti Ekzekutiv i K.N.Ç. të Nënprefekturës së Tiranës urdhëroi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. Pjetër Pepa, Dosja e diktaturës, Tiranë, 2009, I, f. 31; Gazeta Zyrtare, nr. 3, 7 kallnor 1946, f. 9.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit