ÇAKO Hito
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Ushtarak i lartë, Zëvendësministër i Mbrojtjes (20 korrik-25 nëntor 1974). Lindi më 2 mars të vitit 1923, në Progonat të Kurveleshit. Arsimin fillor e kreu në vendlindje (1931-1933). U lidh me LANÇ-in që në fillim. Më 7 mars 1946 u emërua Shef i Sigurimit të Shtetit, fillimisht në Vlorë dhe, më 7 qershor të po atij viti, në Peshkopi. Nga marsi i vitit 1961 deri në fillim të dhjetorit, pra, në periudhën më të acaruar të marrëdhënieve me sovjetikët, kreu funksionet e komandantit të Flotës Luftarake Detare në Pashaliman, në ishullin e Sazanit. Më 20 korrik 1974 u emërua Zëvendësministër i Mbrojtjes, së bashku me Petrit Dumen [shih], por pak muaj më vonë, më 25 nëntor të po atij viti, u pezullua nga detyra dhe u la në «dispozicion». Më 12 dhjetor 1974 u përjashtua nga ushtria dhe brenda në sallën e punimeve të Pleniumit të KQ të PPSH-së u arrestua së bashku me Petrit Dumen dhe Rrahman Përllakun [shih]. Pas një hetimi intensiv gati njëvjeçar, në fund të vitit 1975 u pushkatuan që të tre «Për tradhti të lartë ndaj atdheut». Dr. Gjergj P. Titani, Prof.dr. Proletar Hasani, Personalitete ushtarake shqiptare në vite: 1912-dhjetor 1997, Vëll. I, f. 181-187.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]