(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Klerik i lartë katolik, Provikar i Arkidioqezës së Shkodrës (1946-1952), Ipeshkëv titullar i Midaeum-it (21 janar 1952), Sekretari i Përgjithshëm i «Kryesisë së Kishës Katolike të Shqipërisë» (1952-1956), Kryetar i «Kishës Katolike të Shqipërisë» (9 nëntor 1956-21 mars 1957). Lindi më 16 shkurt të vitit 1913, në Laç të Vaut të Dejës, ku familja e tij, një prej më të vjetrave të Shkodrës, ishte vendosur në kohën e rrethimit të qytetit nga malazezët. Mësimet fillore e të mesme i kreu në Kolegjin Saverian e në Seminarin Papnor në Shkodër. Kreu studimet e larta për teologji e filozofi. Më 9 shkurt të vitit 1936 u shugurua meshtar nga delegati apostolik dhe administratori i Arkidioqezës së Shkodrës, Imzot Giovani della Pietra S. J., dhe pas dy ditësh çoi meshën e parë. Shërbeu në detyra të ndryshme pranë Seminarit Papnor e si mësues i besimit ndër shkolla të qytetit (1938-1946). Më 19 mars 1936 u zgjodh ndihmës famullitar i Shkodrës. Në vitet ’46-’52 është provikar i Arkidioqezës së Shkodrës dhe famullitar i qytetit. Pas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, arrestimit të Dom Mikel Koliqit [shih] dhe vdekjes së Dom Tomë Lacës [shih], i ngarkohen të gjitha detyrat e shërbimit në Kishën Katedrale të Shkodrës. Më 21 janar 1952 u emërua Ipeshkëv titullar i Midaeum-it: u shugurua më 20 prill të po atij viti nga Ipeshkvi i Pultit dhe «Kryetari i Kishës Katolike të Shqipërisë», Imzot Bernardin Shllaku O.F.M. [shih]. Që prej kësaj kohe e deri më 9 nëntor 1956, kur vdiq Imzot Shllaku, kreu detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të «Kryesisë së Kishës Katolike të Shqipërisë», kurse nga 9 nëntori 1956 deri më 21 mars 1957 atë të «Kryetarit» të saj. Gjatë kësaj kohe, me ndihmën e të motrës, mbajti marrëdhënie të fshehta me Selinë e Shenjtë nëpërmjet Legatës italiane në Tiranë. Sa herë që e motra shkonte në Legatë për të marrë pensionin e të shoqit italian, dorëzonte edhe materialet e Imzotit të shkruara në letra cigaresh. Për këtë arsye u arrestua më 29 prill të vitit 1976. Plot një vit më vonë, më 29 prill 1977, Gjykata e Rrethit të Shkodrës, me akuzën «tradhëti ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor», e dënoi «me 25 vjet të heqjes së lirisë, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtës elektorale për 5 vjet.» Dënimin e vuajti në burgun e Tiranës, ku vdiq në mënyrë të mistershme, pas një injeksioni që iu bë në spitalin e burgut më 8 janar të vitit 1980. Me rënien e Komunizmit, eshtrat e tij u rivarrosën në Katedralen e Shkodrës, me ç’rast u celebrua dhe një meshë nga Nunci Apostolik, Imzot Ivan Diazi dhe Imzot Zef Simoni [shih]. Pjetër Pepa, Dosja e diktaturës, Tiranë, 2009, II, f. 458-462; ampb, D. 3359; Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944-1990, në Krishtërimi ndër shqiptarë, Shkodër, 2000, f. 376; Dr. Pjetër Pepa, Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri, Tiranë, 2007, Vol. II, f. 498-503; Markus W. E. Peters, Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996, Shkodër, 2010, 5, f. 281- 283.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit