Vendbanimet neolitike
Neoliti (nga greq. neos – i ri dhe lithos – gur) përfaqëson etapën e fundit dhe njëkohësisht më të zhvilluarën të epokës së gurit. Ai përfshin një kohë që fillon nga mijëvjeçari i shtatë dhe mbaron nga fundi i mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë. Arkeologjikisht neoliti ndahet në tri periudha të mëdha: e hershme, e mesme dhe e vonë. Në këtë të fundit përfshihet dhe periudha e bakrit ose eneoliti (nga bashkimi i fjalës lat. eneos – bakër dhe greq. lithos – gur), që përbën etapën e fundit dhe kalimtare për epokën e bronzit.
Në këta tridhjetë vjetët e fundit janë zbuluar e gërmuar një numër i madh vendbanimesh neolitike me shtrirje gati në tërë territorin e Shqipërisë, si në Maliq, në Cakran, në Vashtëmi, në Burimas, në Podgorie, në Barç e në Dërsnik të rrethit të Korçës, në Kamnik të Kolonjës, në Blaz e Nezir të Matit, në Cakran të Fierit, në Burim, në Gradec e në Cetush të Dibrës, në Kolsh të Kukësit, në Rajcë e në Rashtan të Librazhdit e nga gjetje të rastit në pika të tjera. Më mirë është njohur e studiuar pellgu i Korçës, i cili gjatë epokës prehistorike ka pasur kushte shumë të mira gjeoklimatike. Ai paraqet sot zonën më të pasur e më të zhvilluar kulturore të neolitit si edhe pellgun ku mund të ndiqet pa ndërprerje zhvillimi i kulturës neolitike në gjithë shtrirjen e tij kohore. Materialet e gjetura në këto qendra prehistorike, krahas atyre të dala në dritë shumë kohë më parë si në Velçë të Vlorës ose rastësisht në rrethet e tjera të vendit, kanë dhënë mundësi që të njihen aspekte të ndryshme të jetës ekonomike, shoqërore dhe kulturore të banorëve neolitikë të territorit tonë, ndërsa përhapja e gjerë e këtyre vendbanimeve dhe e gjetjeve rastësore neolitike ka treguar se ky territor gjatë kësaj epoke ka qenë i banuar dendur dhe pa ndërprerje.
Jeta në vendin tonë gjatë neolitit u zhvillua në kushte shumë të përshtatshme natyrore. Klima e ftohtë dhe e lagësht e paleolitit, e cila kishte filluar që në mezolit t’i lëshonte vendin një klime më të butë, tani merr pak a shumë karakterin e klimës së sotme. Si rrjedhim edhe flora e fauna thuajse nuk ndryshojnë prej asaj të ditëve tona.
Këto rrethana të favorshme natyrore ndihmuan që vendi ynë gjatë neolitit të arrijë në një nivel të lartë zhvillimi ekonomik dhe kulturor për atë kohë. Njeriu nga skllav i natyrës, siç ishte në paleolit, shndërrohet tani, pak e nga pak, në zotërues i saj. Në këtë kohë lindin e zhvillohen forma të ndryshme të veprimtarisë prodhuese të njeriut, të cilat me plot të drejtë mund të merren si zanafilla e degëve të veçanta të ekonomisë dhe të përparimit teknik e kulturor të shoqërisë së sotme. Të tilla janë bujqësia e blegtoria, prodhimi i qeramikës, tjerrja dhe endja, teknika e ndërtimit të banesave etj. Përsoset në këtë kohë edhe teknika e punimit të veglave prej kocke dhe prej guri. Hyn në përdorim të gjerë dhe bëhet karakteristike për epokën dhe teknika e lëmimit të gurit. Nga fundi i neolitit (eneolit), për të parën herë dalin dhe veglat e objektet prej bakri, të cilat shënojnë dhe fillimet e metalurgjisë në vendin tonë.
Në këto periudha të largëta të prehistorisë, vendbanimet i ndeshim zakonisht nëpër tarraca lumore, pranë burimeve ose në vende me toka pjellore dhe të pasura me pyje që strehonin shumë kafshë të egra. Por krahas këtyre, vazhdonin të shërbenin si vendbanim edhe shpellat (shpella e Velçës, e Trenit, e Konispolit, e Blazit etj.). Banesat paraqiten dy llojesh: në formë gropash nëndhese (Cakran) dhe të tilla të ndërtuara drejt mbi tokë (Maliq, Kamnik, Kolsh etj.). Zakonisht këto kishin planimetri drejtkëndëshe dhe ishin një ose dy dhomëshe. Muret e tyre thureshin me thupra ose me kallama dhe lyheshin pastaj me baltë në njërën ose në të dy faqet e tyre. Dyshemetë ishin gjithashtu prej balte; në disa raste ato vendoseshin mbi shtroje trarësh për të izoluar lagështirën. Në Dunavec dhe në Maliq të Korçës janë zbuluar banime të ngritura mbi hunj (palafite). Mbi hunjtë vertikalë qëndronte një platformë prej trarësh të vendosur horizontalisht e mbi të ngriheshin banesat (kasollet) të shtruara me baltë. Palafiti i Maliqit ka qenë i rrethuar me një gardh që e mbronte nga vërshimi i ujit apo nga rreziqe të tjera.
Historia shqiptare
Përgatitur nga prof. dr. Muzafer Korkuti