Lindja e pronës private dhe diferencimi shoqëror
Përparimet që u bënë në degët e ndryshme të ekonomisë gjatë epokës së hekurit sollën ndryshime edhe në vetë strukturën e shoqërisë ilire. Baza e këtyre ndryshimeve u bë prona private, e cila filloi të shfaqet tek fiset ekonomikisht më të zhvilluara, në fillim në blegtori e zejtari e më pas edhe mbi tokën. Hesiodi, duke folur për kopetë e mëdha në Helopi, shënon se ato ishin pronë e njerëzve të veçantë. Karakteri dhe shkalla e zhvillimit të zejtarisë dëshmon gjithashtu për praninë në këtë fushë të pronësisë private. Dukurinë e pronësisë për tokën e kemi të dëshmuar më vonë dhe duket se ajo ndjek një rrugë më të ngadaltë. Zakoni i ndarjes së tokës çdo tetë vjet, që na kumtohet nga Straboni për dalmatët, është një dëshmi që tregon se zotërimi periodik i saj ishte një hallkë e ndërmjetme në procesin e formimit të pronës private.
Forcat kryesore të prodhimit të shoqërisë ilire në këtë kohë ishin bujqit dhe blegtorët e lirë, anëtarë të thjeshtë të fisit. Këtyre u shtohet edhe një shtresë e re, më e kufizuar, ajo e zejtarëve. Nga ana tjetër, nga masa e gjerë e popullsisë, fillon të veçohet si një shtresë më vete aristokracia fisnore, e cila, duke u shkëputur nga prodhimi dhe nëpërmjet përvetësimit të pasurisë së përbashkët, vihet në një pozitë të privilegjuar derisa bëhet dalëngadalë zotëruese e pronave të mëdha tokësore dhe blegtorale. Ajo gradualisht mënjanon organet demokratike të fisit dhe uzurpon pushtetin.
Nga burimet e shkruara më të hershme, siç është eposi homerik, shihet se në disa nga fiset ilire ekzistonte, tanimë, diferencimi shoqëror, të paktën në shekujt VIII-VII p.e.re kur u krijuan “Iliada” e “Odisea”. Duke folur për pjesëmarrjen e ilirëve paionë në luftën e Trojës kundër ahejve, Homeri i barazon prijësit e tyre ushtarakë, që vinin nga “Paionia pjellore” me prijësit e ahejve dhe të trojanëve. Kjo pa dyshim flet për një gjendje sociale pak a shumë të ngjashme me atë të fiseve fqinje të Greqisë. Në një vend të poemës “Odisea” flitet për Feidonin, prijësin me origjinë fisnike të thesprotëve, i cili pasi strehoi dhe mirëpriti në pallatin e vet Odisenë, gjatë kthimit për në atdhe, përgatiti një nga anijet e tij të shpejta për ta dërguar atë në Itakë. Sipas këtij tregimi mitik, Feidoni përfaqëson këtu njërin nga krerët që jetonte në një nga pallatet më të pasura të thesprotëve. Këta kishin anijet e veta e njerëz që u shërbenin.
Shumë kuptimplotë në këtë drejtim është dhe një tregim i Herodotit, sipas të cilit, Klistheni, kur ftoi në Sikione (rreth vitit 570 p.e.sonë) të gjithë burrat që do ta ndienin veten të denjë për të pasur për grua të bijën e tij Agaristën, midis atyre që u paraqitën tek tirani qe edhe një farë Alkoni nga Molosia. Sipas këtij tregimi, ky molosas duhet të ketë qenë nga një familje princore ose shumë e pasur, që të pretendonte për të lidhur krushqi me një skllavopronar të madh të Greqisë së asaj kohe, siç ishte Klistheni.
Të dhënat arkeologjike nga varrezat tumulare të luginës së Drinos, pellgut të Korçës dhe Ohrit (Trebenisht), zonës qendrore ilire të Glasinacit etj., dëshmojnë gjithashtu se në shek. VIII-V p.e.sonë, diferencimi shoqëror në gjirin e shoqërisë ilire ishte bërë mjaft i theksuar dhe kishte prekur edhe krahinat e thella të Ilirisë Qendrore e Veriore. Në këto varreza ndeshen, krahas varreve me inventar të varfër, edhe varre ku të vdekurin e shoqëronin armë të kushtueshme, sende luksi prej ari e argjendi dhe objekte të tjera të importuara nga viset përreth, që i takonin shtresës së pasur të aristokracisë fisnore.
Historia shqiptare
Përgatitur nga prof. dr. Muzafer Korkuti