ALEANCA (SYMAHIA) EPIROTE
Formimi i shtetit të epirotëve dhe organizimi politik i tij
Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë ndodhën ndryshime të një rëndësie të veçantë në organizimin shtetëror të Epirit. Lidhja e Molosëve shndërrohet tani në një formë të re shtetërore të një karakteri gjithnjë federativ, si edhe më parë, por me një emërtim të ri kushtetues, të quajtur aleancë e epirotëve.
Ky shtet i epirotëve, siç rezulton nga të dhënat e ndryshme burimore të kohës, u formua nga bashkimi i shtetit të molosëve me aleatët (symahoi) e tij, me Kasopene dhe qytetet e Eleasë fqinje me të, si edhe me shtetin e thesprotëve.Nuk njihen me saktësi motivet që çuan në konsolidimin juridik të këtij organizimi të ri shtetëror; po kështu ekzistojnë mendime të ndryshme rreth saktësimit të datës së kësaj ngjarjeje, duke e vendosur atë në kohën e Aleksandrit ose fill pas vdekjes së tij kur ishte regjente e shoqja e tij Kleopatra. Në qoftë se do të pranohet se organizimi i kësaj forme të re shtetërore u bë nga Aleksandri Molos, përpara se ai të fillonte fushatën luftarake në Itali, atëherë kjo duhet të ketë qenë rrjedhojë e fuqizimit të mëtejshëm të Mbretërisë Molose. Por, nëse formimi i saj do të ketë ndodhur fill pas vdekjes së Aleksandrit, ky organizim duhet parë si rrjedhojë e dobësisë së autoritetit të sundimtarëve molosë. Megjithatë, është e sigurt, se rruga drejt kësaj zgjidhjeje të re në organizimin shtetëror të vendit qe hapur nga Aleksandri me politikën e federimit të territoreve të reja që i ishin atashuar Lidhjes Molose.
Federata epirote nga pikëpamja e formës së qeverisjes, përfaqësonte një shtet federativ me bazë monarkike dhe me të drejta të barabarta të të gjithë pjesëmarrësve në të. Në kuadrin e kësaj federate çdo bashkësi e madhe apo e vogël etnike kishte organizimin e brendshëm të saj, Kuvendin e popullit, prostatin e tij. Bashkësitë merrnin pjesë në qeverisjen e shtetit epirot nëpërmjet kolegjit të përfaqësuesve (damiorgë) të tyre, që dilte nga çdo komunitet i veçantë etnik.
Institucionet drejtuese të këtij shteti nuk ndryshonin nga pikëpamja funksionale nga ato të Lidhjes Molose. Ndryshimi i emrave të tyre nga molos në epirot, nuk shprehin ende ndonjë diferencim real të institucioneve shtetërore. Në këtë drejtim mund të thuhet se Lidhja e Molosëve vazhdon, zgjerohet, por pa u dobësuar, në një formë të re, në atë të shtetit epirot.
Në krye të shtetit qëndronte mbreti, i cili zgjidhej gjithnjë nga familja mbretërore e molosëve të dinastisë tradicionale të Eakidëve, por tani si mbret i shtetit epirot. Si edhe më parë, pushteti i tij vazhdoi të ishte i kufizuar nga prostati, i cili megjithëse ruante titullin “i molosëve” ushtronte autoritetin e tij mbi të gjithë territorin e shtetit epirot. Ai kishte për detyrë të ruante ligjet, të organizonte mbledhjet e asamblesë të nënshtetasve epirotë, t’i drejtonte ato, të bëhej interpret midis mbretit dhe nënshtetasve në këmbimin e premtimeve reciproke në faltoren e Zeusit Arcios, në Passaron etj.
Eklesia e molosëve, ia lëshon vendin tani një asambleje të re më të gjerë ku merrnin pjesë popullsia e tërë shtetit epirot. Kjo asamble me funksione legjislative, që miratonte edhe dekretet shtetërore quhej Symahia e epirotëve.
Kjo federatë me karakter të theksuar politik-ushtarak merrej edhe me çështje të veçanta ekonomike dhe financiare që ishin në funksion të saj. Kështu p.sh. në bazë të një mbishkrimi dekretor të viteve 317-312 p.e.sonë, gjetur në Dodonë, nxirret përfundimi se të ardhurat doganore ishin caktuar të mblidheshin për llogari të kësaj aleance.
Me krijimin e kësaj kushtetute konfederale epirote, ndryshoi dhe sistemi i mëparshëm monetar. Monedhat e molosëve, të thesprotëve dhe të kasopasve, të cilat qarkullonin deri atëherë në Epir si monedha autonome, zëvendësohen tani me një prerje të përbashkët për të tërë Epirin, gjë që pasqyrohet qartë dhe në legjendën e tyre, “e epirotëve”. Nuk dihet me saktësi se ku qenë prerë këto monedha të Symahisë. Mund të mendohet të ketë qenë Dodona, ku më vonë do të provohet dhe ekzistenca e një punishteje monetare. Por kjo nuk përjashton mundësinë që ato të jenë prerë dhe në ndonjë vend tjetër, si p.sh. në Pasaron.
Aleanca epirote, me gjithë ndryshimet që mund të ketë pësuar gjatë jetës së saj, historikisht vazhdoi të ekzistonte rreth një shekulli deri në vitet 334-233 p.e.sonë, kur u zëvendësua nga Lidhja Republikane Epirote.
Historia shqiptare
Përgatitur nga prof. Frano Prendi