Ekonomia. Lulëzimi i gjinisë matriarkale*
Nga materialet e zbuluara në vendbanimet neolitike të vendit tonë del se bujqësia përbënte një nga format kryesore të prodhimit dhe sidomos tek ato bashkësi primitive që banonin në toka pjellore, si p.sh. në pellgun e Korçës, në fushën e Cakranit (Fier) etj. Toka punohej cekët me shat prej guri ose briri dreri. Kjo ishte forma më primitive e punimit të tokës. Në këtë kohë mbillej gruri si dhe llojet e tjera të drithërave. Këtë e tregojnë farërat e karbonizuara të zbuluara në shtresat neolitike të Podgories, të Konispolit, të Maliqit apo në muret e banesave të lyera me baltë të përzier me byk drithërash, siç i gjejmë në vendbanimet më të hershme neolitike (Vashtëmi, Kolsh etj.).
Në depozitimet neolitike të vendit tonë, përzier me mbeturina të ndryshme të kulturës, janë zbuluar me shumicë dhe kocka bagëtish të imëta dhe të trasha, që tregojnë se krahas bujqësisë banorët neolitikë merreshin edhe me blegtori. Prej bagëtive ata siguronin qumështin, mishin, leshin, lëkurën etj. Një pjesë të këtyre produkteve ata i siguronin dhe nëpërmjet gjuetisë së kafshëve të egra, kockat dhe brirët e të cilave i ndeshim gjithashtu në qendrat e banuara të kësaj kohe. Dreri ishte një nga kafshët e egra më të parapëlqyera të gjahut, i cili përveç mishit dhe lëkurës, u siguronte bujqve primitivë edhe brirët me të cilët bënin vegla të ndryshme bujqësore, si shetër, çekanë etj., dhe që i gjejmë të përfaqësuar mirë sidomos në vendbanimin e Dunavecit e të Maliqit. Po këtu janë zbuluar edhe shumë pesha rrjetash, gropa etj., që dëshmojnë se një formë tjetër e sigurimit të ushqimit të banorëve neolitikë të Dunavecit e të Maliqit ishte dhe peshkimi.
Banorët neolitikë të vendit tonë dinin gjithashtu të tirrnin fijen dhe të endnin prej saj rroba me anë të vegjës primitive vertikale. Këtë e tregojnë rrotullat e boshtit dhe peshat për tërheqjen e fijes në vegjë, të zbuluara në Maliq e gjetkë.
Që në etapën më të hershme të neolitit shfaqen dhe enët prej balte të pjekur, që përbëjnë si kudo gjetjet më të shumta e më të rëndësishme në vendbanimet e kësaj kohe. Prodhimi primitiv i tyre ashtu si edhe ai i tekstilit dhe i prodhimeve bujqësore, ishte i lidhur me punën e gruas. Çdo bashkësi neolitike i përgatiste vetë enët sipas nevojave të saj. Ato punoheshin me dorë në forma e madhësi të ndryshme, me faqe të trasha ose të holla, me ose pa zbukurime sipas qëllimit të tyre praktik.
Zhvillimi i madh, për atë kohë, i prodhimit, i cili gjeti shprehjen e vet në shtimin e llojeve të veglave të punës dhe në përmirësimin teknik të punimit të tyre, në zhvillimin e formave të tilla të ekonomisë, siç ishin bujqësia dhe blegtoria etj., solli ndryshime dhe në organizimin shoqëror, që u pasqyrua në përmirësimin e mëtejshëm të strukturës gjinore. Gjinia matriarkale e lindur që në paleolitin e lartë dhe e zhvilluar dalëngadalë gjatë mezolitit arrin tani fazën e lulëzimit të saj. Në fushën ekonomike kjo fazë e zhvillimit gjinor ishte e lidhur kryesisht me zhvillimin e bujqësisë primitive, e cila duke qenë punë e gruas, i jepte asaj një vend me rëndësi në prodhimin shoqëror. Paraqitja e saj me figurat e shumta prej balte, dëshmon se ajo kishte një pozitë parësore në gjini. Martesa me grupe, karakteristike për periudhën e hershme të matriarkatit, zëvendësohet tani në periudhën e lulëzimit të saj me një formë të re më të përsosur, me martesën me çifte.
Gjatë gjithë kohës së neolitit, gjinia mbetet e vetmja njësi shoqërore dhe ekonomike në bashkësinë primitive. Në këtë gjini kishte jo vetëm bashkësi familjesh me çifte, por edhe një organizim pune dhe konsumi kolektiv. Puna e përbashkët i shpinte njerëzit në pronën e përbashkët mbi mjetet e prodhimit dhe mbi produktet e prodhimit.
Ndërmjet gjinive, që jetonin në afërsi të njëra-tjetrës, u vendosën gjatë kësaj periudhe marrëdhënie të tilla ekonomike e shoqërore që shpunë në formimin e bashkësive fisnore. Midis këtyre njësive të mëdha fisnore fqinje ose më të largëta, ekzistonin marrëdhënie këmbimi. Në vendbanimet tona neolitike janë ndeshur sende të sjella nga krahina të largëta, siç janë p.sh., importet e poçerisë diminiane të Thesalisë në depozitimet e vendbanimit të Cakranit apo të Kamnikut etj.
Historia shqiptare
Përgatitur nga prof. dr. Muzafer Korkuti
(*Duhet shënuar se nuk ka fakte që ndonjëherë në historinë e njerëzimit, sistemi i një shoqërie e matriarkale ka ekzistuar ndonjëherë. Aq më tepër që ka ekzistuar më parë se sistemi patriarkal, gjithmonë dihet se shoqëria sundohet me forcë rregulla dhe dhunë, akoma edhe në ditët e sotme. – Shënim i shqipopedias)